Sport

Volejbolli nuk i kthen shikuesit për serinë finale

Volejbolli nuk i kthen shikuesit për serinë finale

Seritë finale të volejbollit në të dyja konkurrencat, që fillojnë këtë vikend, do të zhvillohen pa praninë e publikut, ashtu siç rifilloi ky edicion muajin e shkuar pas një pauze prej tre muajve shkaku i përhapjes së pandemisë së koronavirusit. Në të vërtetë Federata e Volejbollit të Kosovës (FVK) gjatë tërë kësaj jave ka planifikuar për të lejuar kthimin e tifozëve në ndeshjet finale, normalisht me një numër të limituar. Mirëpo ky plan u prish me vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës, e cila ditë më parë njoftoi për masat e reja parandaluese për përhapjen e koronavirusit, duke bërë të ditur se nuk do të lejojë tubimin e më shumë se 50 personave në vende publike. Ky vendim ka bërë që FVK-ja ta mbyllë këtë edicion ashtu siç e rifilloi, pa shikues në tribuna. Të shtunën (sot) zhvillohen ndeshjet e para të serisë finale të këtij edicioni në të dyja konkurrencat. Tek meshkujt, Ferizaj e pret ekipin Prishtina Volley, ndeshje kjo që nis në orën 18:00. Ndërsa tek femrat prej orës 20:10 në Prishtinë do të përballen M-Technologie dhe Skënderaj. Kampioni në të dyja konkurrencat do të shpallet pas dy fitoreve.

“Për ne si federatë primar është shëndeti i sportistëve për shkak se jemi kujdesur maksimalisht që çdo gjë të shkojë sipas planifikimeve qëkur ka rifilluar edicioni. Në fakt, ne e kishim si ide rikthimin e numrit të limituar të publikut në tribuna për ndeshjet finale, me të cilat edhe mbyllet ky edicion. Por, vendimi i fundit nga qeveria dhe numri i madh i rasteve ka bërë që mos të lejojmë një gjë të tillë. Pra, edicionin ta mbyllim pa publik për shkak se kjo është për të mirën e të gjithëve”, ka thënë sekretari i FVK-së, Valon Nikqi, të premten. “Ndoshta do të kishte qenë mirë që finalet të luhen me numër të limituar publiku, por këtë herë situata është ajo që na detyron të mos i hapim dyert. Me rëndësi është ta mbyllim këtë edicion që rifilloi pas një pritjeje të gjatë dhe pastaj të shohim për edicionin tjetër, ku shpresoj që publiku do t’i ketë dyert e hapura”.