Faza e fundit e Superligës në futboll do të sjellë duelet interesante dhe përballjet direkte të katër ekipeve kryesore dhe synuese për titull të kampionit sivjet.
Drita, Prishtina, Gjilani e Ballkani, që kanë pikë-dallim të vogël ndërmjet vete, e kanë bërë shumë interesante garën e titullit të kampionit, por që nga kjo fundjavë kanë nisur duelet direkte ndërmjet këtyre ekipeve, për çka edhe gara do të bëhet shumë rivalizuese, kur kanë mbetur edhe shtatë xhiro deri në fund.
Emisioni sportiv i redaksisë së Sportit në KOHA, “Sporti Total”, këtë fundjavë do të përqendrohet në dy tema me të ftuarit në studio. Të pranishmit, që janë zyrtarë të skuadrave pretendente dhe lojtarë nga këto ekipe, do të flasin për gjasat dhe synimet e ekipeve, por edhe pikat ku mund t’i befasojnë kundërshtarët.
“Sporti Total” do të sjellë te shikuesit të gjitha raportet nga ndeshjet e futbollit të Superligës, nga të gjitha terrenet, me detaje, analiza dhe deklarata. Në mbrëmjen e së dielës do të diskutohet me trajnerë, futbollistë, drejtues klubesh e analistë të futbollit, e gjithë java 24 dhe për atë se çfarë e veçoi këtë xhiro.
“Përveç analizës së garës për titullin e kampionit, por edhe garën e mbijetesës, një tjetër temë që do të diskutohet në këtë edicion të ‘Sportit Total’ është edhe vendimi i Qeverisë për t’i lejuar tifozët në ndeshjet e futbollit. Për këtë vendim do të flasin klubet dhe udhëheqësit e tyre, ndërkohë do të ketë edhe lidhje direkte me zyrtarë të FFK-së dhe me mjekët sportivë”, ka thënë Bujar Mehmeti, udhëheqës i emisionit sportiv në KTV, “Sporti Total”.
Në pjesën e dytë të “Sportit Total” do të vijnë momentet më interesante e qesharake nga arenat e sportit, përmes rubrikës “Faullat e javës”. Sporti Total transmetohet çdo të diel nga ora 22:15 në KTV.