Sport

Gjobiten Sancho e Akanji

Dy futbollistët e Borussia Dortmundit, Jadon Sancho dhe Manuel Akanji janë gjobitur nga Liga Gjermane e Futbollit pasi nuk kishin mbajtur maska gjatë një vizite të floktarit më herët këtë javë. Vendimi u mor të premten, por nuk është bërë e ditur se sa janë gjobitur dy lojtarët.

Sipas DFL-së të dy lojtarët kanë shkelur protokollin mjekësor që është përgatitur nga klubet dhe lojtarët për kthim në ndeshje.

Gjithsej gjashtë lojtarë të Dortmundit, duke përfshirë dy supertalentët Sancho e Akanji, i kanë prerë flokët te floktari që i ka vizituar ata. Floktari më pas kërkoi nga disa prej tyre që të fotografohen me të.

“Është e qartë që edhe futbollistët profesionistë duhet t’i presin flokët. Por kjo duhet të bëhet në përputhje me konceptin mjekësor dhe të higjienës”, thuhet në komunikatë të DFL-së. “Gjobat nuk janë ndaj klubit që duket se nuk ka përgjegjësi në këtë rast”.

Për Sanchon ishte raportuar shumë edhe javën e kaluar, kur pas shënimit të golit zbuloi mbishkrimin “Drejtësi për George Floyd”, afroamerikanin e paarmatosur që vdiq në Minneapolis të SHBA-së, pasi një polic ia mbajti gjurin në qafë për kohë të gjatë.

Sancho nuk u dënua për atë, pasi Federata e Futbollit të Gjermanisë tha se lojtarët janë të lirë për të shprehur përkrahje për Floydin.