Sulmuesi i Tottenhamit, Son Heung-min, ka thënë se ka shijuar periudhën trejavore të stërvitjeve bazë ushtarake në Kore të Jugut, gjatë të cilës ai ishte ekspozuar ndaj gazit lotsjellës, ka manovruar në zjarr dhe po ashtu ka pasur ecje deri 30 kilometra, shkruan agjencia Reuters.
Gjithë meshkujt në Kore të Jugut me aftësi të plota fizike e kanë të obliguar shërbimin ushtarak për afro dy vjet, por Son 27-vjeçar, ka marrë përjashtim të veçantë pasi ka udhëhequr vendin drejt medaljes së artë në Lojërat e Azisë të vitit 2018.
Me Premier Leaguen e pezulluar që nga marsi për shkak të pandemisë COVID-19, Son përfundoi stërvitjet ushtarake muajin e kaluar dhe po ashtu u dekorua si më i suksesshmi në mesin e 157 personave që morën pjesë në stërvitje.
“Ishte përvojë e mirë...Nuk e di se si njerëzit janë ndjerë, por për mua tre javë kanë qenë të gjata, por përvojë e mirë, i kam shijuar”, ka thënë Son për faqen zyrtare të Tottenhamit, “Ditën e parë kur nuk e njihnim njëri-tjetrin ishte çuditshëm, por së shpejti u njohëm me njëri-tjetrin. Kaluam çdo ditë bashkë në një dhomë, dhjetë persona shumë afër...ndihmuam njëri-tjetrin kështu që kaluam kohë shumë të mirë”.
Stinori i Premier Leagues do të rifillojë më 17 qershor dhe Son, që nuk ka luajtur që kur theu dorën në ndeshjen kundër Aston Villas më 16 shkurt, mezi po pret të rikthehte.
“Fizikisht jam mirë, jam duke punuar fortë për të qenë në nivelin maksimal dhe gati jam aty”, ka thënë Son, që ka shënuar nëntë gola dhe ka ofruar shtatë asistime.