Sport

Shalës i miratohet bursa nga Solidariteti Olimpik

Mundësit kosovar Egzon Shala i është miratuar bursa nga Solidariteti Olimpik (SO) i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Olimpik i Kosovës.

KOK-u ka kërkuar që Shalës t’i jepet bursa olimpike për “Tokio 2020”, në vend të karateistit Alvin Karaqi, të cilit i ishte ndërprerë bursa, pasi i njëjti vendosi ta përfaqësojë Shqipërinë.

Egzon Shala e ka fituar normën olimpike për Lojërat Olimpike në Tokio në kategorinë deri 125 kilogramë. Lojërat Olimpike janë shtyrë për një vit për shkak të pandemisë COVID-19.

Shala 29-vjeçar do të përfitojë nga 350 dollarë në muaj nga Solidariteti Olimpik, ndërsa vlen nga 1 maji i vitit 2020.