Sport

Zero raste me koronavirus edhe te Flamurtari e Dukagjini, negativ del edhe Emini

Detyra e trajnerit Sunaj Keçi është t’i mësojë futbollistët e tij si mund ta fitojnë në fushë një ndeshje futbolli. Por, ai në mëngjesin e së hënës para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Prishtinës pati edhe një detyre tjetër.

Në duart e tij mbante një listë me emrat e futbollistëve dhe stafit të klubit Flamurtari.

Ai i ftonte me radhë futbollistët e klubit kuqezi nga Prishtina të hyjnë në tendën e vendosur para QKMF-së, e vendosur për testet për koronavirus. Trajneri Keçi, futbollistët dhe stafi tjetër i klubit pas testeve, njëzëri ishin të bindur se do të dalin negativë për pandeminë COVID-19. Këtë bindje thonë se e kanë, për shkak se nuk kanë pasur kurrfarë simptomash gjatë këtyre ditëve e gjithashtu edhe më herët. Dhe, ashtu edhe doli. Asnjë nga futbollistët dhe stafi nuk dolën pozitivë, ashtu si edhe futbollistët e disa klubeve të tjera të testuar gjatë ditëve të kaluara.

“E kanë ruajtur veten kohëve të fundit shkaku i pandemisë, sepse e kanë kuptuar se shëndeti është në radhë të parë. Nuk kanë pasur asnjë simptomë dhe kanë qenë shëndosh e mirë të gjithë”, ka thënë Keçi.

Keçi ka thënë se pasi t’i pranojnë rezultatet nga IKSHP-ja, e që shpreson të jenë negative, do të jenë më të qetë për të vazhduar punën deri në rifillim të kampionatit.

Kampionati është pezulluar në muajin mars, shkaku i pandemisë së koronavirusit. Ndeshjet e Superligës janë paraparë të vazhdojnë më 7 qershor. Në fakt, ndeshjet e para të futbollit në Kosovës, do të luhen më 2 dhe 3 qershor në kuadër të Kupës së Kosovës.

“Forma e futbollistëve është e mirë, por kemi kohë për t’u përgatitur edhe në ditët në vazhdim para fillimit të edicionit. Futbollistët i janë përmbajtur me përpikëri programit gjatë izolimit. Shpresoj të bëhemi gati për rifillim të kampionatit”, ka theksuar Keçi

I bindur se do të dalin negativë ishte shprehur edhe drejtori i klubit, Agim Hasani.

“Nuk kanë pasur asnjë simptomë, por nuk ka qenë e sigurt, megjithatë e kemi pritur se do të dalin negativë”, ka thënë Hasani.

Edhe futbollistët që mbrojnë ngjyrat e ekipit kuqezi kanë pritur se do të dalin negativë. Ata kanë thënë se tani u mbetet të përgatiten maksimalisht për vazhdimin e kampionatit. Një nga futbollistët më me përvojë në futbollin kosovar, mesfushori Bashkim Shala, ka theksuar se është mirë fizikisht dhe se pret të jetë gati për ta ndihmuar Flamurtarin për të arritur synimin për këtë edicion, e që është mbetja në elitën e futbollit kosovar. Gati pret të jetë edhe mbrojtësi Lorik Maxhuni.

“Ka qenë e rëndësishme të na bëhet testi për ta ditur gjendjen të cilën e kemi të gjithë para se t’i vazhdojmë garat. Është një siguri për të gjithë kur dihet se futbolli është sport që ka kontakte të vazhdueshme”, është shprehur Maxhuni.

Ditëve të kaluara, testimit për koronavirus i janë nënshtruar Gjilani, Drita, Prishtina, Ferizaj dhe Trepça ’89. Të hënën edhe klubi i futbollit Dukagjini, ka njoftuar se nga testimi që u është bërë të shtunën, kanë dalë negativë.

“Të shtunën, i gjithë stafi dhe lojtarët e KF Dukagjinit janë testuar për COVID-19 nga ekipet mjekësore të IKSHPK-së. Lajmi i mirë është se nga rezultatet e pranuara nga IKSHPK-ja, i gjithë stafi dhe lojtarët kanë rezultuar negativë. Pra, lojtarët janë me shëndet të mirë dhe normalisht do të vijojnë me seanca stërvitore, ashtu siç është planifikuar”, thuhet në njoftimin e Dukagjinit...