Sport

Mbylljet e palestrave detyrojnë kampionët kenianë të sportit të stërviten nëpër rrugë

Kampioni i Kenisë në taekëondo, Vincent Ochieng, zakonisht stërvitet në salle të sportit në shkolla në Kisumu, por tash po ushtron me qindra tjerë anash rrugëve në qytetin në perëndim të vendit.

Qeveria ka mbyllur komplekset sportive në mars si masë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri, duke lënë sportistët si Ochiengun, që po shikonte para për të përfaqësuar Keninë në Botërorin e taekëondos në Kinë në tetor, pa vend për të stërvitur.

“Ne po planifikojmë të përfaqësojmë shtetin në tetor në Kupën e Botës në Kinë, por për fat të keq doli ky COVID-19 dhe nuk e dimë se kur do të përfundojë. Shpresojmë që të përfundojë para turneut”, ka thënë Ochieng, ndërsa stërvitet përkrah sportistëve tjerë.

Ochieng, kampion i gjashtëfishtë nacional që stërvitet me vajzën e tij, ka përfaqësuar Keninë në turnetë në Afrikë të Jugut, Ruandë, Etiopi dhe Sudan.

Duke stërvitur përkrah tij është Evelyne Akinyi, boksiere e kategorisë velter dhe anëtare e përfaqësueses së Kenisë që ka filluar me sport pesë vjet më parë dhe ka garuar në Maroko e Senegal.

“Dy ditë pasi u ktheva nga Senegali morëm lajmin se koronvirusi ka prekur Senegalin”, ka deklaruar Akinyi, duke bërë pompa dhe duke ushtruar me trajnerin e saj. “Kjo nuk më ka ndaluar të stërvitem. Jam duke stërvitur, nëse ka ndonjë meç së shpejti”.

Në seancën e mëngjesit ishin rreth 400 persona, përfshirë lojtarë futbolli, basketbolli dhe madje kishte edhe muzikantë.

Disa njerëz nuk janë të pajtimit, duke thënë se seancat stërvitore shkelin rregulloret e qeverisë për tubime në grup.

“Na lejoni të stërvitemi në shtëpi, të bëjmë punën tonë në shtëpi, që të luftojmë si duhet këtë sëmundje”, ka thënë banori Daniel Otieno.