Sport

Mustafi nuk është në planet e trajnerit Arteta, klubi ia cakton çmimin

Descriptive Text

Qendërmbrojtësi shqiptar, Shkodran Mustafi, përfundimisht do të largohet nga skuadra e Arsenalit në fund të këtij edicioni. Madje, klubi londinez tashmë ia ka caktuar çmimin Mustafit, i cili nuk bën pjesë në planet e trajnerit Mikel Arteta.

E përditshmja britanike “Express” ka raportuar se Arsenali po kërkon dhjetë milionë euro dëmshpërblim për ta lënë të lirë Mustafin. Në fakt, Mustafi ka rigjetur formën e tij prejse ka ardhur Arteta në krye të Arsenalit në dhjetor të vitit të shkuar, duke e zëvendësuar Unai Emeryn e shkarkuar, shkruan KOHA. Megjithatë, Arteta nuk është i bindur me paraqitjet e Mustafit, duke ia bërë të ditur klubit se nuk llogarit në shërbimet e tij për edicionin 2020/21.

Qendërmbrojtësi 28-vjeçar, në këtë edicion të pezulluar në muajin mars shkaku i përhapjes së pandemisë të koronavirusit, ka regjistruar 18 ndeshje për Arsenalin në të gjitha ndeshjet dhe ka kontribuar me një gol dhe një asistim.

“Shkodran Mustafi, përfundimisht, do të largohet nga Arsenali këtë verë. Ai më nuk bën pjesë në planet e trajnerit Areteta dhe për këtë arsye klubi tashmë ia ka caktuar çmimin. Për ta lënë të lirë Mustafin, Arsenali po kërkon dhjetë milionë euro dëmshpërblim”, ka shkruar “Express”.

Në të vërtetë, Mustafi, ditë më parë, në një intervistë ka pasur vetëm fjalë të mira për trajnerin Arteta, për të cilin insistoi se e ka bashkuar skuadrën e Arsenalit. Madje, Mustafi ka thënë se nën urdhrat e trajnerit Arteta, klubi është i destinuar për gjëra të mëdha. Mustafi ka kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit të ardhshëm. Ai tek Arsenali u transferua në verën e vitit 2016 nga Valencia për 41 milionë euro dëmshpërblim, por asnjëherë nuk e arsyetoi këtë çmim. Mustafi vazhdimisht është kritikuar nga tifozët e Arsenalit për paraqitjet e dobëta dhe gabimet që në disa raste, ekipit nga Premier League i kanë kushtuar edhe me humbje.

Mustafi te Valencia ka luajtur dy edicione, kurse karrierë ka bërë edhe tek ekipi nga Serie A, Sampdoria. Ai, gjithashtu, ka edhe dy gola në 20 paraqitje me Gjermaninë dhe ishte pjesë e ekipit që triumfoi në Kampionatin Botëror “Brazili 2014”. Krahas Mustafit, pjesë e Arsenalit është edhe një futbollist tjetër shqiptar, mesfushori Granit Xhaka. Xhaka, 27-vjeçar, ka kontratë me ekipin anglez deri në vitin 2023 dhe këtë edicion ka një asistim në 29 paraqitje në të gjitha garat.