Sport

Lala konfirmon se Rashica do të largohet nga Werderi

Ylli i Kosovës në futboll, Milot Rashica, do të largohet nga Werder Bremeni në përfundim të këtij stinori, për të vazhduar karrierën në një klub që paraqitet rregullisht në Ligën e Kampionëve.

Këtë e ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, menaxheri i Rashicës, Altin Lala.

“Po do të largohet, natyrisht se po. Werderi ishte ekipi i duhur për Milotin dhe disi më vjen keq që këtë vit ndodhet në vështirësi, por futbolli i ka këto luhatje. Mendoj se ishte klubi i duhur dhe tash ka ardhur koha për një hap tjetër në karrierë. Mendoj se nuk ka mbaruar zhvillimi i Milotit dhe besoj që mund të bëjë edhe më shumë në një klub që është i përshtatshëm për stilin e tij të lojës e ku do të mund të tregonte vlerat e tij si lojtar ofensiv”, ka thënë Lala.

Ish-mesfushori i kombëtares shqiptare, ka konfirmuar se ka shume klube të interesuara për Rashicën.

“Kemi pasur kontakte me shumë klube. Ka shumë klube të interesuara për të marrë të drejtat e Milotit për sezonin tjetër. Por, për momentin, natyrisht është e pezulluar kjo shkaku i virusit. Shpresojmë që në sezonin tjetër, Miloti të ketë mundësinë të luajë në Ligën e Kampionëve. Ka pasur skuadra shumë interesante që janë interesuar për Milotin, të cilat vazhdimisht luajnë në Ligën e Kampionëve dhe janë të përshtatshme për Milotin. Besoj brenda 2-3 javësh do ta marrim një vendim dhe do ta kuptoni të gjithë. Shpresoj që Miloti të bëjë hapin tjetër në karrierë, duke e parë që klubet si Werderi tashmë janë të detyruara të shesin lojtarët për të siguruar të ardhura. Kështu mendoj që edhe për Milotin ka ardhur koha të bëjë hapin e radhës në karrierën e tij”.

Rashica te Werder Bremeni është transferuar në janar të vitit 2018 nga Vitesse për shtatë milionë euro. Ai këtë edicion luajti 24 ndeshje në të gjitha garat, ndërsa shënoi dhjetë gola e asistoi pesë të tjerë.

Lala ka mohuar se Lazio është në mesin e klubeve kandidate për të blerë kartonin e Rashicës, anipse aty drejtor sportiv është ish-bashkëlojtari i Lalës te kombëtarja e Shqipërisë, Igli Tare.

“Lazio do të mund të bënte lëvizjen për Rashicën edhe më herët. Por, Lazio tash nuk është në mesin e klubeve kandidate për Rashicën. Pavarësisht që Igli Taren e kam mik dhe e vlerësoj shumë, po ashtu edhe punën e tij, por për momentin nuk luan punë këtu miqësia, por e ardhmja e Milotit. Lazio ka pasur një sezon shumë të mirë. Iglit i uroj shumë fat në punën e tij”, tha ish-mesfushori i Hannoverit.

Kampioni i Evropës, Liverpooli është përmendur si klub tjetër i interesuar për transferimin e Rashicës.

“Miloti ka treguar vlerat e tij dhe ka shënuar një numër të madh të golave dhe po ashtu ka asistuar. Kjo ka bërë që të jetë në listën e shumë klubeve. E di që në Kosovë ka shumë tifozë të Liverpoolit dhe më i njohuri është Mc Kresha, që është edhe mik i Milotit. Por, atij nuk do i mbetet hatri po nuk u transferua Miloti te Liverpooli”, tha ai.

Lala tregon se si e zbuloi talentin e Rashicës

Ish-futbollisti i Shqipërisë, Altin Lala ka treguar se kur e ka parë për herë të parë Milot Rashicën duke luajtur. Ai ishte impresionuar menjëherë.

“Unë e kam parë Milotin për herë të parë duke luajtur për Kosovën U-21 në Zvicër. Ai, 20-25 minuta pasi hyrë në lojë, asistoi një gol dhe shënoi një tjetër nga penalltia. Më bëri përshtypje se ishte një djalë shumë i ri në moshë, diku ende pa i mbushur 17 vjet. Mënyra se si lëvizte në fushë, shpejtësia, zgjuarsia dhe në fund pash edhe një intervistë të tij në televizor që më la përshtypje. Pastaj e kontaktova babanë e tij Nexhmedinin dhe u dakorduam që ai të bëjë një stërvitje, një provë këtu në Hannover, këtu ku unë jetoj dhe ku kam luajtur për shumë vite”, ka thënë Lala në “Interaktiv” të KTV-së.

Lala ka treguar se qëllimi ishte që Milot Rashica të nënshkruante me Hannoverin në Gjermani, por Rashica mori lëndim dhe dështoi ky plan.

“Gjithçka ishte e organizuar që ai të vinte te Hannoveri, por për fat të keq pësoi lëndim. Nuk dua ta kujtoj, pasi ka qenë periudhë e vështirë për Milotin. Edhe unë e kam pasur të njëjtin lëndim, pothuajse në moshë të njëjtë me Milotin, kështu që edhe kjo ishte një shtyrje për mua që t’ia jap rastin Milotit. Pas kësaj, ai vazhdoi dhe patëm fatin te Vitesse, ku pas dy-tri ushtrimeve u bindën zyrtarët e klubit se Miloti mund të ketë një të ardhme të ndritur”, shtoi ai.

Lala ka treguar se ka në menaxhim edhe lojtarë tjerë nga Kosova, si Valdrin Mustafën dhe Elton Krasniqin.

Lala: Suksesi i Kosovës ishte i pritshëm

Altin Lala ka thënë se kishte pritur që përfaqësuesja e Kosovës në futboll të arrijë sukses, por jo edhe aq shpejt. Ai ka lavdëruar edhe tifozët në Kosovë.

“Unë e kam pritur suksesin e Kosovës, por jo që të vinte kaq shpejt. Entuziazmi për futbollin në Kosovë është i jashtëzakonshëm, aq më tepër edhe tifozët janë të zjarrtë. Të gjesh bileta në Kosovë është e vështirë, edhe po të kishte stadium me 50 mijë ulëse do të kishe vështirësi. Lojtarët që kanë ardhur dhe vijnë te Kosova, kanë kualitete jashtëzakonisht të mira. Unë mendoj që janë bërë 2-3 hapa përpara dhe po ta shikosh historinë e Kosovës është shumë e re”, ka deklaruar Lala.

Kosova në vjeshtë pritet të luajë në gjysmëfinale të plejofit të Ligës së Kombeve për kualifikim në Evropian. Ndeshja do të luhet në Shkup. Në rast të fitores, në finale do të luante me fituesin e duelit ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë.

“Shpresoj që Kosova ta fitojë ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut për ta pasur pastaj një finale. Do të ishte një gjë e jashtëzakonshme nëse Kosova do të kualifikohej në Evropian dhe unë mendoj që gjasat janë gjithsesi për t’u kualifikuar”, ka thënë Lala, që ka treguar edhe për ciklin e suksesshëm të Shqipërisë me Gianni De Biasin në krye. “Mendoj që gjithmonë ka një cikël. Unë isha pjesë e Kombëtares kur ishte De Biasi. Atëherë kishte lojtar shumë të mirë. Pas dorëheqjes së De Biasit, që ishte e papritur, erdhi trajneri i ri, Christian Panucci dhe mendoj që nuk ishte i duhuri për Kombëtaren. Por, tash me Edy Rejan mendoj se është bërë lëvizja e duhur”.

Milot Rashica para se Kosova të pranohej në FIFA e UEFA ishte pjesë e Shqipërisë. Ai ishte në listën e gjerë të De Biasit për Evropianin 2016, por në fund strategu italian vendosi të mos e përfshinte në listën finale.

“Po të ftohej në Evropian, nuk do të mund të luante për Kosovën. Ua kam thënë që Milotin e kishit aty dhe nuk e mbajtët. Vendimi i tij për të luajtur për Kosovën është vendim i duhur, pasi Miloti është prodhim i Kosovës, ka dal nga Vushtrria, nga futbolli në Kosovë. Edhe unë po të isha në vend të Milotit, kështu do të vendosja. Unë i kam thënë Milotit vendos me zemër. Ne faktikisht të gjithë e duam Shqipërinë dhe Kosovën, faktikisht jemi një. Në një të ardhme, shpresoj që të luajmë për një Kombëtare. Unë jam për një Kombëtare. Unë nuk kam lënë gjë pa i thënë De Biasit. Kam qenë i surprizuar, pasi kam menduar që Miloti do të ishte pjesë Kombëtares për Evropian dhe të luante në formacionin e Kombëtares. Në atë kohë, Miloti ishte lojtari më i mirë që kishte shqiptaria. Kishte shënuar 9 gola me Vitessen dhe kishte dhe shumë asistime. Ishte në formë shumë të mirë, djalë i ri, 19 vjeç. Të gjithë kanë luajtur në mosha të reja dhe mosha nuk është argument. Aq më tepër, kur Shqipëria u mbronte, po themi në stilin italian të De Biasit dhe me lojtar si Miloti do të mund të kalonte ndoshta edhe deri në çerekfinale. Për mua ishte vendim i gabuar dhe sa herë që e shoh De Biasin e shajë, kuptohet që me shaka, pasi ne kemi raporte të mira me njëri tjetrin. Tallem me të shpesh, i them që nuk merr vesh nga futbolli, ose nga futbolli në sulm, kurse për mbrojtje din mirë”.

Image