Sport

Pauza për shkak të koronavirusit mund të jetë me pasoja te sportistët kosovarë

Descriptive Text

Përhapja e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë, ka bërë që të pezullohen të gjitha aktivitetet sportive që nga data 13 mars, kur u paraqitën rastet e para të infektuara.

Tash e katër javë, Qeveria e Kosovës mori vendim të prerë për pezullimin e aktiviteteve sportive me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19. Ndalja e të gjitha ngjarjeve sportive ka bërë që sportistët të stërviten në kushte shtëpie dhe të izoluar, gjë shumë e vështirë dhe monotone për ta.

Me programe të ndryshme dhe të izoluar, sportistët kosovarë po bëjnë improvizime për të mbajtur sadopak formën deri në rifillimin e garave. Në fakt, basketbollistët tashmë e kanë të konfirmuar se nuk do të kenë vazhdim të garave, pasi Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), javë më parë, mori vendim për anulimin e kampionatit në Superligën e meshkujve dhe femrave, duke mos shpallur kampionë, shkruan Koha Ditore.

Këtë situatë të vështirë, sportistëve në përgjithësi ua beson trajneri kondicional Astrit Hajrullahu. Sipas tij, kjo është një situatë e papritur dhe krejtësisht e re për sportistët që duhet të improvizojnë në kushte shtëpie për të mbajtur formën, pasi tashmë klubet kanë ndërprerë edhe stërvitjet kolektive.

"Duke marrë parasysh situatën në të cilën jemi, ku rreptësishtë ndalohet të dalim jashtë shtëpisë dhe në situata të tilla nuk kanë qenë asnjëherë, sigurisht që nuk është aspak e lehtë. Në këto raste sportistët duet të tregojnë vete, të përqendrohen dhe të kenë durim të madh. Nuk është aspak e lehtë të stërvitësh në kushte të tilla, por kjo është mënyra e vetme për të mbajtur sadopak formën. Pra, me stërvitje të vazhdueshme në kushte shtëpie dhe të improvizuara”, u shpreh fillimisht Hajrullahu që për çdo ditë në “Facebook” poston ushtrime të ndryshme për sportistët që mund t’i bëjnë në këtë kohë izolimi.

Ai e pranon se kjo pauzë e detyrueshme për sportistët do të ketë pasoja në të ardhmen, të cilat edhe haptazi do të shihen. Sipas tij, kjo do t’i kushtëzojë sportistët për të mbajtur formën me ushtrime të improvizuara, në mënyrë që kur të dalin në ambient të hapur ta përballojnë më lehtë ritmin.

Periudhën më të vështirë pas rikthimit në gara do ta kenë futbollistët. Në fakt, futbolli po shpreson që t’i rifillojë garat, ndonëse Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) nuk ka dhënë asnjë datë.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në “E Diela me Koha Ditore”. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.