Kur ekipi i tyre luajti ndaj rivalëve të promovimit, Arminia Bielefeldit në divizionin e dytë të Gjermanisë më datën 9 mars, tifozët e Stuttgartit nuk e kuptuan që do të ishte ndeshja e fundit para pezullimit të futbollit për shkak të përhapjes së koronavirusit.
Një javë më vonë futbolli u pezullua në Gjermani dhe tifozët "ultras" të Stuttgartit në vend të kësaj u përqendruan për të ndihmuar të moshuarit dhe të prekurit gjatë krizës shëndetësore, shkruan AFP.
"Shumë njerëz janë të gatshëm të vendosin egot e tyre në njërën anë dhe të mblidhen për të ndihmuar komunitetin", tha Clemens Knoedler, kreu i grupit ultras të Stuttgartit “Schwabensturm”. "Një javë pas lojës në Bielefeld u bë e qartë se diçka do të ndryshonte. Ne u takuam dhe e pyetëm veten se çfarë do të bënim pa ndeshje futbolli dhe vendosëm për të ndihmuar ata që kishin vërtet nevojë".
Së bashku me grupet e tjera mbështetëse në të gjithë vendin, Knoedler dhe ultrasit e tjerë vendosën të mobilizoheshin në mbështetje të komunitetit të tyre lokal, transmeton KOHA.
Derisa dikur drejtonte mijëra tifozë të Stuttgartit për të brohoritur për ekipin e tyre të futbollit, Knoedler tani organizon rreth 80 vullnetarë për të marrë sende ushqimore dhe ilaçe pa recetë për ata që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre gjatë kësaj kohe të përhapjes së koronavirusit. Projekti u shfaq brenda disa ditësh, dhe tani përfshin gjashtë zona të ndryshme në qytetin e Stuttgartit dhe zonën përreth.
"Ne po e bëjmë këtë për qytetin tonë dhe rajonin tonë. Kjo është pjesë e vetë kuptimit tonë si ultras, që jemi të gatshëm të ndihmojmë atje ku mundemi", tha Knoedler.
Të njohur për mbështetjen e tyre të egër dhe protestat në stadium, grupi ultras i tifozëve është fronti i organizuar i kulturës së famshme gjermane të futbollit. Në fillim të këtij viti grupet ultras u përplasën për protestat pa shije kundër pronarit të klubit të Hoffenheimit, Dietmar Hopp, në stadiume në të gjithë vendin.
Drejtori i përgjithshëm i Bayern Munich Karl-Heinz Rummenigge iu referua atyre si "fytyra e shëmtuar" e futbollit, por javët e fundit ata kanë dëshmuar të kundërtën.
Tifozët e klubeve të mëdha të Gjermanisë, si Borussia Dortmund dhe Schalke, kanë organizuar gjithashtu shërbime të ofrimit vullnetar të ngjashëm me ata të Stuttgartit, ndërsa mbështetësit e Bayernit kanë bërë thirrje për dhurime në bankat e ushqimit.
Strukturat e ngushta të tifozëve ultras e bëjnë më të lehtë organizimin në mënyrë spontane në kohë krize, tha Knoedler. Që nga viti 2013, grupi i tij ka bërë dhurime vjetore për kauza lokale, siç janë bamirësia për fëmijë dhe një qendër për të pastrehë.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.