Kampionia e botës në not në stil delfin, Boglarka Kapas është në mesin e nëntë notarëve nga përfaqësuesja e Hungarisë që janë infektuar me koronavirus. Lajmi është konfirmuar nga Federata e Notit të Hungarisë, shkruan agjencia Reuters, transmeton Koha.net.
Dominik Kozma, që fitoi të bronztën në 4x100 metra krol në Botërorin 2017 me stafetën e Hungarisë, po ashtu ka dal pozitiv me virusin vrasës.
“Ne kemi testuar të gjithë në përfaqësuesen e notit, si dhe stafin që punon me ekipin, trajnerët e masazhistët. Rezultatet e dala të martën mbrëma kanë konfirmuar nëntë raste me virus”, është thënë në komunikatë të federatës.
Shpresat olimpike kishin marrë pjesë në një kamp stërvitor në klimë më të ngrohtë gjatë muajve të fundit. Federata ka thënë se të gjithë kanë qenë në karantinë me t’u kthyer nga Hungaria dhe nuk kanë marrë pjesë në ndonjë seancë stërvitore të përbashkët.
“Unë po ndjehem mirë. Kjo nuk ndryshon rutinën time, pasi edhe ashtu kam qenë në shtëpi, maksimum kam dal në oborr për të marrë ajër të pastër. Edhe nëse ndjehesh mirë, duhet pasur kujdes dhe të qëndrohet në shtëpi, pasi mund të përhapësh virusin”, ka thënë Kapas 26-vjeçare, që ka fituar të artën në 200 metra delfin në Botërorin e vitit të kaluar.
Kapas ka fituar edhe një medalje të bronztë në 800 metra krol në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.
Dominik Kozma ka treguar se testi i dytë i tij ka dal pozitiv, pasi i pari doli negativ.
“Unë nuk po them se nuk jam i frikësuar nga kjo. Brengosem për bashkëshorten time”, ka thënë ai.
Deri më tash mbi 500 persona kanë dal pozitiv me koronavirus, ndërsa 20 kanë vdekur.