Reprezentuesi i Argjentinës, Paulo Dybala i ka bërë thirrjeve të gjithëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pasi ka përjetuar efektet e koronavirusit.
Sulmuesi i Juventusit thotë se ishte frikësuar pasi kishte dal pozitiv me koronavirus më herët këtë muaj. Ai ishte në mesin e tre lojtarëve të Juventusit që dolën pozitiv. Daniele Rugani e Blaise Matuidi ishin dy tjerët.
Një numër i lojtarëve të Serie A së Italisë kanë dal pozitiv me koronavirus. Italia është vendi që është prekur më së keqi nga koronavirusi ku janë regjistruar mbi 12 mijë të vdekur.
Dybala dhe e dashura e tij Oriana Sabatini janë infektuar me virusin vrasës, ndërsa sulmuesi ka treguar se tash po ndjehen më mirë. Dybala ka treguar për përjetimet e tij.
“Kisha një koll të keq, u ndjeva i lodhur dhe kur flija ndjeja të ftohtë. Në fillim, nuk mendoja se çfarë mund të jetë, por i ndodhi dy bashkëlojtarëve të mi dhe unë isha i treti”, ka thënë Dybala në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Argjentinës. “Kishim kokëdhembje, por këshillohej të mos merrje gjë. Klubi na dha vitamina dhe me kalimin e kohës u ndjemë më mirë. Është psikologjike. Frikësohesh në fillim, por është në rregull tash. Këto ditë nuk kemi pasur simptome. Unë lodhesha shpejt. Doja të stërvitem, por pas pesë minutave ngelja pa frymë. Atëherë e kuptova se diçka nuk ishte në rregull dhe testet treguan se isha pozitiv me virusin. Shumë njerëz po vdesin çdo ditë, gjërat janë shumë keq. Nuk është gënjeshtër, duhet të jemi të kujdesshëm. Njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi”