Ekipi i Kosovës në boks gjendet në karantinë te konviktet e studentëve në Prishtinë që nga kthimi nga Londra më 18 mars.
Katër boksierë, dy trajnerë dhe zëdhënësi i ekipit të Kosovës janë futur në karantinë, pas kthimit nga turneu kualifikues olimpik në Londër. Zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK), Latif Demolli ka thënë se ata është dashur të testohen të martën dhe të lirohen sot, pasi sot është dita e 15-të në karantinë.
“Sot më 1 prill është dita e 15-të e kombëtares së boksit në karantinë dhe ende askush nuk na ka kontaktuar. Ne qysh në hyrje në karantinë kemi kërkuar që para se të dalim të na bëhet testi, që të jemi të sigurt kur të kthehemi në familjet tona”, ka shkruar Demolli në Facebook, duke theksuar se gjashtë pjesëmarrës në turneun kualifikues në Londër nga shtetet tjera kishin dal pozitiv me koronavirus.
“Në kontakt me Komitetin Olimpik të Kosovës dhe MKRS-në, na është premtuar nga Ministria e Shëndetësisë se do t’i bëhet testi ekipit në ditën e 14-të dhe të fundit dhe se në ditën e 15-të të karantinës do të largohemi. Por, kjo nuk ka ndodhur. Dje kemi kontaktuar nga KOK-u dhe MKRS-në që të kontaktojnë Ministrinë e Shëndetësisë. Na kanë lajmëruar se testi ekipit kombëtar do t’i bëhet më 2 prill dhe pastaj do të lirohet në shtëpi, nëse testet dalin negative. Por, unë si përgjegjës i ekipit kombëtar kërkoj dhe lusë institucionet kompetente që sot në ditën e 15-të të karantinës të testojnë sportistët e t’i lirojnë që të shkojnë pranë familjeve të tyre. Disa prej tyre ka muaj që nuk janë në gjirin familjar. Ndoshta ka mungesë të testeve dhe këto teste kanë koston e vet. Unë personalisht nuk do të kërkoj të më bëjnë testin, pasi ndjehem shumë mirë, por kërkoj që ekipit tim t’i bëhet testi për të qenë të sigurt. Pas kësaj pandemie boksierët do të vazhdojnë me garat kualifikuese dhe dëshirojmë që të jenë të sigurt me shëndetin e tyre. Karantina sipas rregullave në tërë botën është 14 ditë e jo 16 ditë”.
Turneu kualifikues në Londër u pezullua pas tri ditëve të garave për shkak koronavirusit. Në shtëpi kanë rezultuar pozitiv boksierë nga Turqia e Kroacia.