Sport

Konfirmohet data e re e Lojërave Olimpike

Foto: Reuters

Organizatorët e Lojërave Olimpike të Tokios dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) kanë vendosur të hënën që Lojërat Olimpike të nisin më 23 korrik të vitit të ardhshëm dhe të përfundojnë më 8 gusht, është njoftuar nga organizatorët, transmeton Koha.net. 

Kreu i Lojërave Olimpike në Tokio, Yoshiro Mori, ka njoftuar se vendimi është marrë në bashkëpunim me IOC-në.

“Një periudhë e caktuar kohore kërkohet për zgjedhjen dhe kualifikimin e sportistëve dhe për stërvitjet e tyre. Dhe është arritur marrëveshja që organizimi i Lojërave Olimpike gjatë pushimeve të verës në Japoni është opsion i preferuar. Sa i përket transportit, organizimit të vullnetarëve, biletave, si dhe situatës së COVID-19, ne mendojmë se është më së miri që të Lojërat Olimpike të organizohen një vit më vonë se që është planifikuar, pra në verën e vitit 2021”, është thënë nga Mori.

Javën e kaluar është marrë vendim për shtyrjen e Lojërave Olimpike pas thellimit të krizës të shkaktuar nga koronavirusi.

“Jam i sigurt se duke punuar së bashku me Komitetit Organizativ të Tokio 2020, qeverinë lokale të Tokios, qeverinë e Japonisë dhe gjithë aksionarët, ne do të përballojmë këtë situatë të paprecedent. Njerëzimi aktualisht gjen veten në një tunel të errët. Këto Lojëra Olimpike Tokio 2020 mund të jenë drita në fund të tunelit”, ka thënë presidenti i IOC-së, Thomas Bach.

Shtyrja është e para në historinë 124-vjeçare të Olimpiadës moderne, ndonëse disa edicione ishin anuluar shkaku i luftës.

Lojërat Olimpike prapë do të njihen si LO "Tokio 2020".

Më herët të hënën, shefi ekzekutiv i Lojërave Olimpike në Tokio, Toshiro Muto, ka thënë se komiteti është duke ecur në drejtim për të llogaritur të vlefshme biletat që janë blerë nga tifozët për Lojërat Olimpike apo të rimbursojnë ato.

“Ne duam të nderojmë shpresat e gjithë atyre që kanë blerë biletat”, ka thënë Muto.

Muto ka thënë se është herët të thuhet se sa do të jetë kostoja e shtyrjes së Lojërave Olimpike. IOC-ja dhe qeveria e Japonisë ishin nën presion të madh nga sportistët dhe federatat botërore sportive për të shtyrë Lojërat Olimpike pas rritjes së numrit të rasteve me koronavirus nëpër botë.

Lojërat Paralimpike do të nisin më 24 gusht të vitit 2021 dhe do të përfundojnë më 5 shtator.