Sport

FFK-ja thotë se për shikues vendosin organet shtetërore të Maqedonisë së Veriut

Descriptive Text

Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka ndonjë paralajmërim se ndeshja gjysmëfinale e plejofit për “Euro 2020” mund të luhet në stadium të mbyllur.

Më 26 mars në Shkup takohen Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ndërsa të enjten në Federatën e Futbollit të Maqedonisë nuk e kanë përjashtuar mundësinë që ndeshja të luhet pa shikues. Nga frika e përhapjes së koronavirusit, ndeshjet e fundit të futbollit në Maqedoni janë luajtur pa shikues. Kjo masë është në fuqi deri të premten, por pritet të vazhdohet deri më 13 mars. Nëse situata me koronavirusin keqësohet, atëherë ndeshja Maqedoni – Kosovë do të luhet pa shikues.

Koronavirusi ka prekur futbollin dhe sportin në Evropë. Shumë ndeshje po luhen pa shikues, ndërsa shumë të tjera janë shtyrë e po shtyhen ndërkohë.

“Ne nuk kemi asnjë paralajmërim për mundësinë që ndeshja të luhet pa shikues. Nuk na takon një vendim i tillë”, ka thënë të enjten Bajram Shala, menaxher i përfaqësueses së Kosovës. “Besoj që është një vendim që do të merret nga organet shtetërore maqedonase, në varësi të situatës në momentin e caktuar”, ka shtuar Shala për Koha.net.

Federata e Maqedonisë tashmë ka vënë në shitje biletat për ndeshjen me Kosovën. Është raportuar se interesimi është shumë i madh. Zëdhënësi Zlatko Andonovski ka thënë se momentalisht ndeshja me Kosovën nuk është në rrezik, por nëse merret një vendim për të luajtur pa shikues, atëherë paratë e biletave do te kthehen.

Edhe zëdhënësi tjetër i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Faton Zylbehari ka lënë të hapur mundësinë që të merret një vendim që ndeshja të luhet pa shikues, nëse ka keqësim të situatës. Por sipas Zylbeharit është definitive që ndeshja do të luhet në Shkup më 26 mars.

“Nuk ka ndonjë vendim. Presidenti i Federatës sonë ka folur me presidentin e UEFA-s që ndeshja do të luhet në Shkup më 26 mars. Nuk ka termine tjera për ndonjë anulim eventual. Eventualisht nëse koronavirusi përhapet, atëherë mund të luhet pa shikues. Por gjithsesi do të luhet në Shkup ndeshja. Kjo është e tëra”, ka thënë Zylbehari për Koha.net.

Interesimi për ndeshjen e 26 marsit është i madh edhe në Kosovë.

Vendimi përfundimtar nëse do të ketë shikues i takon Ministrisë së Shëndetësisë të Maqedonisë Veriore. Vendimin e Ministrisë do ta respektojë Federata maqedonase.