Sport

Basketboll, Bashkimi fiton derbin me Prishtinën

Bashkimi e ka fituar çerekun e katërt me rezultatin 26:10 për t’ia shkaktuar edhe një humbje Sigal Prishtinës në Superligën e Kosovës në basketboll.

Të shtunën mbrëma në Prizren, Bashkimi fitoi me shifrat 89:82. Ndeshja Bashkimi – Prishtina i takoi xhiros së 26-të të kampionatit të Kosovës në basketboll.

Çereku i katërt nisi me rezultatin 72:63 në të mirë të Prishtinës. Por prizrenasit ia dolën të përmbysin rezultatin dhe të fitojnë dy pikë të vlefshme.

Bashkimi fitoi bindshëm çerekun e parë, ndërsa Prishtina u kthye edhe më fuqishëm në të dytin. Pas çerekut të tretë të barabartë, vendasit patën më shumë nga loja në periudhën vendimtare.

Stevie Clark me 17 pikë, 12 kërcime e nëntë asistime udhëhoqi Bashkimin.Terik Bridgeman shënoi 22 pikë. Te Prishtina u dallua Anthony Goods me 24 pikë e dy asistime. Prishtina mbetet e para me 40 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Ylli e Rahoveci. Ndërkohë Bashkimi është i katërti me 37 pikë.

Fitore të rëndësishme të shtunën shënoi edhe Trepça ndaj Feronikelit me rezultatin 71:62.

Të dielën janë ndeshjet Golden Eagle Ylli – Peja (17:00) dhe Rahoveci – Prizreni (19:00).