Sport

Atmosferë pesimiste në prag të “Clasicos”

Derbi “Clasico” mes Real Madridit dhe Barcelonës mund të ketë peshë të madhe në garën për titull në La Liga, por paraqitjet jo të mira të dy gjigantëve në Evropë, nënkupton se kësaj beteje i mungon epiteti i një dueli mes dy skuadrave më të mira në botë.

Real Madridi pësoi 2:1 në shtëpi nga Manchester City të mërkurën mbrëma në 1/8 e finales të Ligës së Kampionëve, ndërsa Barcelona barazoi 1:1 në udhëtim ndaj Napolit në këtë fazë. Barazimi i Barcelonës ka konfirmuar frikën e Lionel Messit se klubi katalunas nuk është mjaftueshëm i fortë për të fituar trofeun.

Kampionia e Spanjës, Barcelona në derbin e të dielës futet si lidere me dy pikë epërsi ndaj Real Madridit që zë vendin e dytë. Real Madridi është në krizë të formës pas barazimit 2:2 me Celta Vigon dhe humbjes nga Levante në dy ndeshjet e fundit në ligë.

“Përballja e të dielës do të jetë si një garë mes dy personave të lënduar. Realiteti është se dy skuadrat janë duke luajtur shumë keq”, ka thënë ish-sulmuesi i Real Madridit dhe Argjentinës, Jorge Valdano. “Ngjitja e Barcelonës në krye është dukshëm më tepër fal rënies në formë të Realit, sesa shkaku i meritave të Barçës. Rrëshqitjet e Realit e kanë forcuar Barcelonën. Por, Barcelona zhënjeu kundër Napolit”.

Të dyja skuadrat futen në ndeshje me mungesa të shumta. Real Madridi është keq në sulm, pasi do t’i mungojnë Marco Asensio, Eden Hazard e Rodrygo.

Barcelona, ndërkohë, duhet të mbulojë hapësirat në gjithë fushën, ku Jordi Alba, Sergi Roberto, Ousmane Dembele e Luis Suarez janë të lënduar, ndërsa Gerard Pique po lufton për t’u rikuperuar për ndeshjen.

Ndonëse ka një prej skuadrave më të shtrenjta në botë, trajneri i Barcelonës, Quique Setien është detyruar të mbulojë bankinën kundër Napolit me tre lojtarë nga skuadra rezervë. E lojtarët e Barcelonës nuk po e fshehin zhgënjimin ndaj hierarkisë së klubit.

“Ne kemi një skuadër të vogël, por ata që janë në drejtim e dinin këtë”, ka thënë mesfushori kroat i Barcelonës, Ivan Rakitiq, duke shprehur pakënaqësinë ndaj hierarkisë së klubit.

Por, edhe përkundër gjithë këtyre problemeve, Barcelona duket se ka epërsinë në përballjen me Real Madridin të dielën në “Bernabeu”, ku ka fituar katër përballjet e fundit në ligë.

Së paku Barcelona mund të mbështetet në superyllin argjentinas Lionel Messi, që ka shënuar katër gola e ka asistuar katër herë në katër ndeshjet e fundit në ligë.

“Ai është një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave. Kam respekt të madh për të, por shpresoj të dielën ai të mos ketë një ditë të mirë, pasi do të nënkuptonte se kemi bërë një punë të mirë. Do të jetë një ndeshje e fortë, për shkak të fazës në të cilën jemi këtë stinor. Dallimi mes nesh është shumë i vogël, rezultati mund të jetë vendimtar dhe shpresoj të arrijmë fitore”, ka thënë kapiteni i Realit, Sergio Ramos për faqen zyrtare të La Ligas.