Sport

Guardiola: Ka përfunduar vetëm pjesa e parë

Foto: Reuters

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka thënë se ende çdo gjë është e hapur në sfidën ndaj Real Madridit.

City fitoi 2:1 sonte ndaj Realit në “Santiago Bernabeu” në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e kthimit luhet më 17 mars në Manchester.

“Ne erdhëm për fitore dhe ia dolëm. Por, ka mbaruar vetëm pjesa e parë. Nëse një skuadër është në gjendje të rikthehet nga ky disavantazh, atëherë është Reali. Në fazën kur po luanim më mirë, ne pranuam gol. Më pas në fazën kur Reali po luante më mirë, ne shënuam gol. Kështu e ka futbolli. E mbaj në mend ndeshjen çerekfinale dy stinor më parë në Anfield kundër Liverpoolit, kur po luanim jashtëzakonisht mirë, por Liverpooli realizoi nga çdo tentim që pati në portë”, ka deklaruar Guardiola për “BT Sport”, transmeton Koha.net.

Guardiola ka folur edhe për lëndimin e qendërmbrojtësit Aymeric Laporte. Laporte u lëndua në pjesën e parë të ndeshjes.

“Pas pesë muajve mungesë shkaku i lëndimit, është një goditje e rëndë. Fernandinho u aktivizua në vend të tij dhe ai luajti jashtëzakonisht mirë. Jam shumë krenar. Por, është vetëm hapi i parë. Nuk ka mbaruar ende. Mund të shijojmë këtë moment. Të dielën kemi një finale. Më pas do të vazhdojmë në Premier League e do të përgatitemi për ndeshjen e kthimit kundër Realit”, ka shtuar Guardiola.