Sport

Debutimi i Haalandit përkrah futbollistëve shqiptarë

Foto: Reuters

Fitim Kastrati po luante si sulmues krahu kur në lojë u inkuadrua një djalosh 15-vjeçar. Për të kishte vlerësime se është një futbollist i talentuar me të ardhme shumë të ndritur. Por kishe edhe plot të tillë që dyshonin nëse ai do të arrinte të realizonte potencialin që i parashikohej.

Thuajse asnjëri nuk kishte besuar se djaloshi i urtë e i tërhequr, pas disa vitesh do të bëhej sensacion i futbollit evropian. I tillë tashmë llogaritet supertalenti norvegjez, Erling Haaland. 19-vjeçari të martën realizoi të dy golat në fitoren e Borussia Dortmundit ndaj PSG-së (2:1) në fazën nokaut të Ligës së Kampionëve. Ai po thyen rekordet një nga një dhe po vlerësohet talenti më i madh i lojës.

Fillimi i karrierës nuk ishte kaq i bujshëm për Haalandin. Debutimin si senior e ka bërë te ekipi i kategorisë së dytë norvegjeze, Bryne, më 12 maj të vitit 2016. Ndeshjen e parë me ekipin senior e luajti ndaj Ranheimit. Debutimin e bëri përkrah futbollistëve shqiptarë të Brynes.

Fitim Kastrati kishte kompletuar takimin në të cilin Haaland debutoi, duke u aktivizuar në minutën e 69-të. Bryne kishte humbur atë takim me shifrat 1:0. Kastrati, tani 25-vjeçar, ka treguar se ai dhe Bajram Ajeti kanë pasur raport shumë të mirë me Haalandin. E kanë ndihmuar të ambientohet në nivel senior.

“Unë në vitin 2016 jam transferuar te Bryne dhe dëgjova shumë fjalë të mira për Erlingun. Në fillim ai ushtronte me ne dy-tri herë në javë, pasi ishte edhe në shkollë. Në stërvitje është vërejtur se ishte i talentuar. Kishte lëvizjet e mira dhe ishte i sigurt para golit kundërshtar. Qartë se ishte talent i madh, por ishte shumë herët të thuhej se do të arrijë shumë. Ishte ende vetëm 15-vjeçar”, ka thënë Kastrati për Koha.net.

“Në atë moshë fizikisht ishte pak i ligshtë , ishte ende i ri. Në skuadër ishim unë dhe Bajram Ajeti. Jemi munduar ta afrojmë Erling Haalandin. Ai nuk fliste shumë. Ishte pak i marrshëm . Me gjasë e ka vërejtur që ne ishim nga një vend tjetër, rrinim më shumë bashkë dhe bënim atmosferë. Erlingu dhe një shok i tij kanë qëndruar shumë me ne në atë kohë”, ka shtuar Kastrati. Ai është shumë i kënaqur që Haaland ka prekur majat e futbollit.

“Vite më parë kemi luajtur bashkë, ndërsa ai tani shënon rregullisht gola ndaj ekipeve më të mëdha”.

Pasi luajti 16 ndeshje për Brynen, Haaland kaloi te Molde, ekip tjetër në Norvegji. Nisi të shënoi shumë gola dhe në fillim të vitit 2019 iu bashkua Red Bull Salzburgut në Austri. Në Austri shpërtheu dhe muajin e kaluar iu bashkua Dortmundit. Rritja e tij po vazhdon ende. Shumë shpejtë Haaland pritet t’i bashkohet ndonjë top-skuadre evropiane. Aktualisht po shënon rregullisht ndaj tyre.

Kastrati vazhdon të luajë në Norvegji. Aktualisht është te skuadra Asker. Ka luajtur edhe për Valerengan, Brynen e Geflen. Këto skuadra për nga niveli janë larg atyre ndaj të cilave Haaland po shkëlqen.

Skuadrat norvegjeze janë të njohura për besimin që kanë ndaj lojtarëve të rinj. Janë edhe disa shqiptarë, që njëjtë si Haaland kanë debutuar në ekipe seniore në moshë shumë të re. Deri më tani asnjë prej tyre nuk ka pasur rrugëtim as të përafërt në karrierë me atë të sensacionit norvegjez.

Image
Erling Haaland (majtas) së bashku me Fitim Kastratin (i dyti nga e majta) dhe Bajram Ajetin (i fundit)