Sport

Pas dënimit nga UEFA, City rrezikon që t’i reduktohen pikët në ligë

UEFA sot e ka dënuar Manchester Cityn me përjashtim për dy sezone në Ligën e Kampionëve dhe e ka gjobitur me 30 milionë euro, por ky nuk është dënimi i vetëm që mund të pësojë kampioni anglez.

Mediat britanike raportojnë tani se City rrezikon që të dënohet nga Premier Liga me heqje të pikëve në ligë, transmeton Koha.net.

City është dënuar për shkak të shkeljeve serioze të rregulloreve të UEFA-s në licencat e klubit, si dhe ka bërë shkelje edhe në “fair-playin” financiar.

Independent raporton se burime të nivelit të lartë thonë se një gjë e tillë do ta detyrojë Premier Ligën të veprojë për shkak të licencimit të saj, që janë në përputhshmëri me ato të UEFA-s.

Secili klub duhet të ofrojë informacione të vërtetë për të marrë licencë në Premier Ligë, dhe ato informacione do të duhej të përputheshin me ato që i janë dhënë UEFA-s.

Sipas këtyre raporteve thuhet se Komitetet e Premier Ligës kanë diskutuar mundësinë e dënimin e Cityt, dhe reduktimi i pikëve shihet si një gjë që shumë lehtë mund të ndodhë.