Hapi prapa i Kosovës në futsall

Hapi prapa i Kosovës në futsall

03 February 2020 08:30

Me një fitore e dy humbje i ka përfunduar Kosova kualifikimet për “Euro 2022” në fustall (futboll të sallës). Përfaqësuesja e Kosovës në futsall nuk ia ka dalë të avancojë nga raundi kualifikues dhe kështu ka bërë hap prapa në krahasim me ciklet e kaluara eliminatore. Në fakt, është pritur që Kosova të bëjë hap para në ndeshjet e luajtura gjatë kësaj jave, por ka ndodhur e kundërta.

Kosova ishte pjesë e grupit F, ndërsa ndeshjet i ka luajtur në Tbilisi të Gjeorgjisë. Nisi mirë me fitore 4:2 ndaj Austrisë. Por, më pas pësoi 8:4 nga Gjermania, përfaqësuese që është formuar pak kohë më parë, ndërsa dështimi u kompletua të shtunën mbrëma, kur Kosova pësoi thellë, 6:1, nga Gjeorgjia. Gjeorgjia, si e para, avancoi në fazën grupore të kualifikimeve, ndërsa Gjermania, si e dyta, në raundin e plejofit të kualifikimeve. Kosova si e treta në grup u eliminua, njëjtë si Austria e vendit të katërt, shkruan sot Koha Ditore.

Drilon Maxharraj shënoi golin e vetëm për Kosovën në disfatën e thellë nga Gjeorgjia. Në të vërtetë, udhëtimi për në Gjeorgji nuk ishte i zakonshëm për Përfaqësuesen e Kosovës. Ka pasur vonesa të aeroplanëve dhe udhëtimi ka zgjatur shumë orë më tepër sesa ishte planifikuar. Po ashtu, ishin publikuar fotografi të lojtarëve duke pirë duhan në Aeroportin e Prishtinës dhe kjo kishte bërë bujë. Fotografitë e publikuara kanë ndikuar në atmosferën në përfaqësuese, por, megjithatë, Kosova nisi me fitore ndaj Austrisë.

“Pas fitores në duel me Austrinë dhe humbjes së pësuar me Gjermaninë, të përzgjedhurit e Ramadan Cimilit kanë pësuar humbje nga vendi nikoqir i kualifikimeve të Grupit F, Gjeorgjia, e cila e fitoi grupin. Kosova i mbylli këto kualifikime në pozitën e tretë në renditje”, ka njoftuar FFK-ja.

Kosova në futsall, për herë të dytë, garoi në kualifikime për Evropian. Në debutim, në kualifikime për Euro 2018, Kosova kishte përfunduar e dyta në grup. Pozita e dytë nuk i kishte mjaftuar për të avancuar tutje, por është pozitë më e mirë se kjo e kualifikimeve për Euro 2022. Edhe bilanci ishte më i mirë. Kosova kishte fituar 5:1 ndaj Norvegjisë dhe 3:1 ndaj Qipros, ndërsa kishte pësuar 2:1 nga Danimarka, që kishte fituar grupin po me gjashtë pikë sa Kosova dhe kishte avancuar tutje... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme