Sport

Vendi i tretë dhe i katërt në Premier Ligë i ndajnë pikët

Foto: Reuters

Leicester City nuk arriti të merrte pikë të plota në përballjen me skuadrën e Frank Lampardit, ndeshje e cila u përmbyll me rezultatin 2-2.

Chelsea ishte skuadra e parë që kaloi në epërsi menjëherë pas nisjes së pjesës së dytë përmes Rudigerit me një goditje me kokë, kjo epërsi nuk zgjati as 10 minuta pasi në minutën e 56-të, Barnes i Leicesterit arriti të barazonte shifrat.

10 minuta më pas ishte sërish Leicesteri i Brendan Rodgersit ai që shënoi për të kaluar në epërsi prej 2-1.

Por, 6 minuta më vonë, në skenë doli sërish Rudigeri që, sërish me kokë, barazoi shifrat në stadiumin “King Power” për të lënë të hapur gjithçka në këtë ndeshje.

Minutat në vazhdim sollën lojë të mirë me raste të mira, sidomos për vendësit kur Vardy lëshoi një rast të mirë shënimi, por që vërshëllima e fundit e gjyqtarit nuk la që ndonjëra nga skuadrat të largohej nga fusha me pikë të plota.

Me këtë rezultat, Leicester City vazhdon të mbajë pozitën e tretë në tabelë me 49 pikë, 2 më pak se Manchester City në vendin e dytë, kurse Chelsea mban vendin e katërt me 41 pikë, 7 më shumë nga Manchester Unitedi në pozitën e pestë.