Sport

Trajnerët në Kosovë tregojnë si do të vepronin nëse futbollistët e tyre do të pinin cigare

Gjatë ditës së martë janë publikuar fotografi të lojtarëve të kombëtares së Kosovës në futsall duke pirë cigare në ambientet e aeroportit “Adem Jashari”, pak minuta para nisjes për në Gjeorgji në kualifikimet për Euro 2022”.

Gjesti bëri jehonë, ndërsa trajnerë të njohur kosovarë kanë dhënë përgjigje të ndryshme nëse do të lejonin një gjë të tillë nga futbollistët e klubeve të tyre.

Këto janë përgjigjet që disa prej tyre kanë dhënë për KosovaPress:

Tahir Batatina, kryetrajner i KF Llapit:

“Vetëm do të kisha pritur deri sa të futemi në zhveshtore. Jua kisha blerë nga një pako duhan dhe në prezencë të të tjerëve, jua kisha shqyer kontratë, dhe i kisha treguar se vetëm mund të përshëndetin me mua dhe bashkëlojtarët dhe kurrë në jetë nuk kishin pasur mundësi të jenë lojtarë të mi”.

Bylbyl Sokoli, ish-trajner i shumë skuadrave:

“Unë do të kisha marrë masa komfor rregullores disiplinore. Po shpresoj se në Federatën e Futbollit të Kosovës ekziston rregullorja e cila dënon në raste të këtilla”.

Tahir Lushtaku, ish-trajner i KF Drenicës:

“Po të flasim realitetin, nëse flasim për këtë dukuri tash e disa vite mendoj që kjo nuk do shumë koment, sepse është edhe kish me qenë e papranueshme për mua si një trajner i një skuadre që futbollistët profesionist të konsumonin cigare, dhe besoj që pa asnjë dyshim që kisha për t’i larguar nga klubi”.

Bekim Isufi, trajner i KF Ferizajt:

“Janë rregulla të çdo klubi ku parashihen edhe dënimet. Në bazë të tyre vendos çdo klub”.

Arsim Prepolli, ndihmës trajner i KF Flamurtarit:

“Shumë futbollistë pinë cigare dhe mirë nuk është për shëndetin, këtë e dimë të gjithë, mirëpo prapë se prapë është privatësia e tyre ku nuk mund të ndikohet nëse janë mbi moshën 18 vjeçare, por në publik nuk është mirë të dalë një sportist me cigare në dorë”.

Gani Sejdiu, trajner i KF Drenicës:

“Këto raste fillimisht shqyrtohen, dhe pastaj vendosen dënimet, por ju siguroj që dënimet për këto raste do të ishin shumë të rënda”.

Arsim Thaçi – ish trajner i KF Flamurtarit:

“Personalisht nuk më ka ndodh prej që jam trajner me pi cigare lojtari që e kam stërvitur unë. Është imazh shumë i keq edhe për klubin ku ushtron e sidomos për shtetin të cilin e përfaqëson. Nëse flasim për lojtarët e Kosovës në aeroport është shumë e vështirë të merren masat deri sa ata të kthehen, megjithatë mendoj se Federata duhet me pas rregulloren apo kodin e sjelljes së lojtarëve të cilët e përfaqësojnë shtetin dhe në bazë të saj të merren masat ndëshkuese”.

Trajneri i Ballkanit, Ismet Munishi nuk ka pranuar të përgjigjet në këtë pyetje.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, kur edhe janë publikuar fotografitë, kishte reaguar sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu i cili e kishte cilësuar këtë gjest si të pahijshëm, e sidomos për lojtarët të cilët janë fotografuar duke pirë cigare me fanellën e Kosovës.

“Me të vërtete është një gjë e pahijshme. Nuk është në rregull aspak. Lojtarët në momentin që prezantojnë Kosovën, kanë të veshur fanellën e Kosovës assesi nuk iu lejohet të pinë duhan në vendet publike, është totalisht e pa tolerueshme mirëpo ne nuk mund të jua ndalojmë atyre duhanin në jetën e tyre private”, deklaroi Salihu.

Kritikat e shumta të marra nuk i kanë penguar aspak djelmoshave të Kosovës, të cilët sot kanë arritur të shënojnë fitore qysh në ndeshjen e parë në raundin kualifikuese për kampionatin evropian "Euro 2022", duke deklasuar kombëtaren e Austrisë.