Sport

”Dardanët” shpresojnë të nisin eliminatoret me fitore

Përfaqësuesja e Kosovës në futsall, të martën udhëtoi drejt Gjeorgjisë, vend në të cilin do t’i zhvillojë ndeshjet e raundit të parë kualifikues në kuadër eliminatoreve për Evropianin e vitit 2020.

Kosova bën pjesë në Grupin F dhe përballë do ta ketë Gjeorgjinë vendase, pastaj Gjermaninë dhe Austrinë. Ndeshjet do të zhvillohen prej 29 janarit deri më 2 shkurt. Synimi i “dardanëve” është një prej dy pozitave të para në grup, në mënyrë që të avancojnë në fazën tjetër. Fituesi i grupit kualifikohet direkt në fazën e grupeve, derisa vendi i dytë do të luajë në plejof për të siguruar një vend në grupe.

Ndeshjen e parë në këto kualifikime Kosova do ta luajë të mërkurën (sot) kundër Austrisë prej orës 16:00 në Tbilisi. Një ditë më vonë, më 30 janar, në të njëjtën kohë, Kosova do të përballet me Gjermaninë, kurse ndeshjen e fundit do ta luajë më 1 shkurt kundër Gjeorgjisë (22:00), shkruan Koha Ditore.

Përfaqësuesja e Kosovës para nisjes ka mbajtur një grumbullim disaditor në Prishtinë. Te Kosova janë shprehur optimistë para nisjes për në Gjeorgji. Lojtari Oso Gjinovci është i bindur se Kosova do të kalojë tutje pasi, sipas tij, kundërshtari më i fortë në grup mbetet Gjeorgjia.

“Ne besojmë në fitore ndaj Austrisë dhe Gjermanisë, ndonëse nuk janë ekipe aspak të lehta për t’u mposhtur. Por, kundërshtari më i vështirë në grup do të jetë Gjeorgjia dhe gjasat janë të barabarta në këtë përballje. Prej katër ekipeve, dy të parat do të avancojnë tutje dhe besoj se Kosova do të jetë njëra prej tyre. Jemi përgatitur mirë dhe jemi të gatshëm për të treguar paraqitje të mira për të kaluar në fazën tjetër”, është shprehur Gjinovci. “Optimizmi është i madh në ekip. Besoj se prej këtij grupi Kosova dhe Gjeorgjia do të avancojnë tutje”.