Sport

Rrëshqitjet e Interit në mesin e stinorit janë bërë të zakonshme

Foto: Reuters

Rrëshqitjet tradicionale të Interit në mesin e stinorit janë kthyer sërish këtë vit. Që nga viti 2013, Interi ka dështuar të fitojë më tepër se një ndeshje në ligë në janar. 

Kishte shpresë që këtë vit gjërat do të ndryshonin, kur Interi hapi vitin 2020 me fitoren si mysafir ndaj Napolit duke mbetur në krye të renditjes në Serie A. 

Mirëpo arriti vetëm të barazonte në tri ndeshjet e radhës dhe ka mbetur tri pikë prapa liderit të ri të Serie A, Juventusit. Interi do ta kishte gjetur veten edhe më tepër prapa kampionit të Italisë të tetë stinorëve të fundit, Juventusit, po qe se skuadra torineze nuk do të pësonte 2:1 të dielën mbrëma në udhëtim ndaj Napolit, vetëm disa orë pasi Interi barazoi 1:1 me Cagliarin, shkruan sot Koha Ditore.

Lazio ka mundur të ngjitej sipër Interit, dhe atë me një ndeshje më pak të luajtur, po qe se do ta mposhte Romën në derbin lokal të dielën, por barazoi 1:1. Në të tri barazimet së fundi, Interi kishte kaluar në epërsi, por pranoi golin e barazimit në 15 minutat e fundit të ndeshjes. 

“Na duhet qartësi dhe përqendrim në minutat e fundit të ndeshjes, pasi duhet vetëm një gjë e vogël për të ndryshuar lojën”, ka thënë ndihmëstrajneri i Interit, Cristian Stelini, që po fliste në vend të trajnerit Antonio Conte, i cili tha se u largua menjëherë pas ndeshjes pasi ishte sëmurë.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)