Sport

Kuvendi i zhurmshëm konfirmon ndarjen në futbollin kosovar

Foto: Koha

Përfaqësues të gjashtë klubeve të Superligës lëshuan Kuvendin Zgjedhor për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në shenjë bojkoti, si dhe paralajmëruan tërheqjen nga garat. 

Të pakënaqur me rendin e ditës që ishte për zgjedhjen e anëtarëve të KE të FFK-së, pas dy orësh me debate, zhurmë e pakënaqësi, përfaqësuesit e Llapit, Trepçës ’89, Prishtinës, Drenicës, Ballkanit dhe Ferizajt lëshuan sallën ku po mbahej kuvendi dhe nuk morën pjesë në votim, shkruan sot Koha Ditore.

Atyre iu bashkuan edhe disa përfaqësues të skuadrave të Ligës së Parë dhe ekipit të femrave Mitrovica. Por kuvendi vazhdoi punën. Brenda 15 minutave u konfirmuan votat prej 37 delegatëve që kishin mbetur në kuvend për anëtarët e KE, mandati i të cilëve do të jetë katërvjeçar: Bakir Burri, Predrag Joviq, Ilaz Mjaku, Flamur Bunjaku, Naser Ajeti, Mirsaq Qollaku, Xhelal Broja, Vjollca Krasniqi, Agim Nura e Ismajl Ajeti. 

Pas këtij votimi, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e shpalli të mbyllur kuvendin zgjedhor dhe për këtë pati përkrahjen edhe të përfaqësuesit të FIFA-s, Oliver Jung, që iu drejtua delegatëve në fillim dhe në fund të kuvendit. 

Krahas tij në këtë kuvend ishte i pranishëm edhe përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, si dhe mysafirë të tjerë nga Federata Shqiptare e Futbollit, Komiteti Olimpik i Kosovës e Departamenti i Sportit. “Ishte një procedurë demokratike dhe me shumicë votash në kuvend u konfirmuan anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Po ashtu, mendoj se ata që nuk e përkrahën këtë kanë mundur të dalin për një pauzë të shkurtër jashtë kuvendit, por me rëndësi është se shumica ishte e pranishme dhe votoi”, tha Jung. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)