Sport

Një ditë para vdekjes së Bryantit, James ia zuri vendin e tretë si shënuesi më i mirë në histori të NBA-së

Vetëm një ditë para vdekjes në një aksident fatal me helikopter, legjenda Kobe Bryant humbi vendin e tretë në listën e shënuesve më të mirë në histori të NBA-së.

Këtë pozitë ia zuri LeBron James, që tash është pjesë e LA Lakers, ku Bryant u paraqit për 20 vjet.

Me nderimin për Bryantin të shënuar në atletet e tij, Nike, James shënoi 29 pikë para një tifozërie të zhurmshme në Philadelphia të shtunën, por Lakersi pësoi humbje 108:91 nga Philadelphia 76ers.

James në atlete kishte shënuar “Mamba 4 Life”, duke aloduar në nofkën e Bryantit, kampionit të pesëfishtë të NBA-së. Tifozët bënë gati celularët duke i drejtuar në fushë, në pritje për të kapur një copë historie që u shënua kur James shënoi pikët për të kaluar Bryantin, kur kishin mbetur 7:23 minuta në çerekun e tretë. James në ndeshje ishte futur duke kërkuar 18 pikë për të kaluar Bryantin dhe ai pas ndeshjes gjendet në shifrën e 33655 pikëve. Bryant e mbylli karrierën me 33643 pikë, të gjitha të shënuara me fanellë të Lakersit.

Bryant e kishte përgëzuar Jamesin për rekordin në një postim në Twitter.

Kareem Abdul-Jabbar mban rekordin për pikë të shënuara në NBA, me 38.387 sosh. Karl Malone zë vendin e dytë me 36.928. James nëse vazhdon me këtë ritëm mund të kalojë rekordin e Abdul-Jabbarit për tre stinorë. Katër shënuesit më të mirë në histori të NBA-së kanë luajtur për Lakersin. James i është bashkuar Lakersit si lojtar i lirë në vitin 2018.

James ka kaluar Bryantin në Philadelphia, ku ylli i pensionuar i Lakersit kishte lindur. James, që ka luajtur në tetë finale rresht të NBA-së, ka shënuar 6911 pikë në plejof me Cleveland Cavaliers dhe Miami Heat, pikë që nuk llogariten në totalin e përgjithshëm.