Sport

Rruga e Nzeochas deri në finalen e madhe Super Bowl

Fitorja e San Franciscos ndaj Green Bay Packers me shifrat 37:20 nënkupton tash se Mark Nzeocha do të bëhet vetëm gjermani i tretë që do të luajë në finalen e madhe të ligës së futbollit amerikan, të njohur si Super Bowl, pas Uwe von Schamannit (Miami Dolphins) dhe Sebastian Vollmer (New England Patriots).

Një tjetër, Markus Koch i Chicago Bears, humbi Super Bowlin e vitit 1992 për shkak të lëndimit, por prapë mori unazën e kampionit, shkruan Deutsche Welle.

Tash Nzeocha do të shohë se si jeta e tij do të ndryshojë përgjithmonë, më 2 shkurt në Miami. Super Bowl jo vetëm që është ngjarja më e madhe sportive njëditore, por arritja atje është synimi përfundimtar i secilit nga rreth 1.700 lojtarë të ligës profesioniste të futbollit amerikan, NFL.

Ka mundësi të mirë që prindërit e Nzeochas të bëjnë rrugëtimin për në “Miami Gardens” për të shikuar drejtpërdrejt kulmin e karrierës të birit të tyre. Por, po të shkonte sipas dëshirës së babait Chris, katër djemtë e tij nuk do të kishin fare të bënin me sportin amerikan, që njihet si i kontaktit të madh dhe ngjason me ragbin për nga ndërhyrjet, transmeton Koha Ditore.

“Babai im është tifozi më i madh i futbollit. Ai shikon çdo ndeshje të Bundesligës gjermane”, ka thënë 29-vjeçari Mark Nzeocha.

Kështu që ishte e natyrshme që Chris Nzeocha, një shtetas nga Nigeria, ku futbolli, si në shumicën e vendeve të botës është dukshëm sporti më i popullarizuar në botë, do të donte që katër djemtë e tij të ndjeknin pasionin e tij. Mirëpo, Eric, Paul, Steve dhe Mark kishin ide tjera.

“Nuk doja të bëja atë që bëjnë të gjithë të tjerët, por doja të bëja diçka tjetër. Doja të isha rebel”, ka thënë Mark, duke reflektuar edhe pikëpamjen e vëllezërve të tij.


Ishte në moshën 13-vjeçare që Mark, i lindur në Ansbach, në jug të Gjermanisë shkeli për herë të parë në fushë të futbollit amerikan.


“Menjëherë rashë në dashuri me sportin”, thotë Mark Nzeocha.

Trajneri i tij i parë ishte Philipp Kimmelmann. Dy vjet më vonë Nzeocha lëvizi për në skudarën e Erwin Riegerit. Trajneri i ri pa menjëherë se djaloshi ka potencial të madh, por ai kurrë nuk mund të parashikonte se sa shumë fizikisht do të forcohej dhe sa shumë do të rritej ai.

Sigurisht vetëm talenti nuk të sjellë në ligën NFL, por për fat të mirë për Nzeochan, ai kishte edhe kualitete tjera që e veçonin nga bashkëlojtarët.

“Ai ishte dukshëm më i motivuar se të tjerët dhe kjo e ka dërguar atje ku është tash”, thotë Rieger.

Një lojtar i shquar në mbrojtje

Nzeocha ishte provuar në disa pozita në klubin e tij në rini, te Franken Knights.

“Por, roli i tij kryesor gjithmonë ishte ana defensive. Ai luajti në atë pozitë edhe në përfaqësuese dhe është ajo pozitë që ia siguroi atij bursën në Universitetin e Wyomingut”, thotë Rieger.

Por, me të arritur atje, Wyoming e ktheu Nzeochan në pozitën e mbrojtësit të vijës dhe në atë pozitë ai u ngrit në një lojtar të veçantë, një rol që e mban edhe te 49ers.....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)