Sport

Mustafi i kërkon falje Luizit pas gabimit ndaj Chelseat

Mbrojtësi shqiptar i Arsenalit, Shkodran Mustafi, është shprehur i lumtur dhe krenar për bashkëlojtarët e tij, pas barazimit 2 me 2 me Chelsean të martën në Premier Ligë.

Ekipet barazuan në derbin e Londrës, me Arsenalin që ishte për rreth 70 minuta me një futbollist më pak pasi qendërmbrojtësi David Luiz mori kartonin e kuq. Ky karton erdhi pas një ndërhyrjeje të Luizit, e që erdhi në aksionin e nisur nga gabimi i Mustafit.

Në një postim në rrjete sociale, Mustafi i ka kërkuar falje bashkëlojtarit brazilian.

“Jam i lumtur dhe krenar që kam një ekip të mrekullueshëm që luftoi me mua për 90 minuta pas gabimit tim që jo vetëm shkaktoi golin e parë, por edhe e dërgoi David Luizin (më fal David) jashtë fushës. Nuk dorëzohemi kurrë, luftojmë me pasion dhe jemi të bashkuar! Faleminderit”, ka shkruar ai.

Mustafi ditë më parë në një publikim për faqen zyrtare të Arsenalit tregoi se i kishte përjetuar rëndë akuzat që i ishin bërë nga tifozët e klubit pas gabimeve që kishin ndëshkuar “Topçinjtë”.