Sport

Skuadra nga Paqësori, JS Saint-Pierroise, po bën bujë në Kupën e Francës

Nëse të duhet të udhëtosh rreth 10 mijë kilometra për çdo ndeshje, atëherë më mirë të sigurohesh që të shkruash histori, shkruan BBC.

Kjo është saktësisht ajo që skuadra amatore JS Saint-Pierroise – nga ishulli vullkanik Reunion në Oqeanin Paqësor - ka bërë dhe ka arritur në 1/16 e finales të Kupës së Francës.

Reunion është territor i jashtëm i Francës dhe kështu skuadrat e këtij ishulli kanë të drejtë të marrin pjesë në gara. Të shtunën do të përballet me SAS Epinal, duke u bërë vetëm skuadra e dytë nga territoret e jashtme të Francës që ka arritur në 1/16 e finales, pas asaj të Guianas, ASC Le Geldar.

Saint-Pierre ka fituar Premier Leaguen e Reunionit në pesë stinorët e fundit, por kjo arritje në Kupën e Francës lehtësisht lë në hije sukseset tjera, transmeton Koha Ditore.

Për të arritur kaq larg, amatorët e ishullit është dashur të mposhtin skuadrën e Kategorisë së Dytë të Francës, Niort, me shifrat 2:1 në udhëtim në raundin e fundit. Të tejkalosh një skuadër të kategorisë së dytë nuk është detyrë e lehtë, e veçanërisht nëse të duhet të fluturosh për 11 orë që të arrish në vendin ku luhet ndeshja.

Në formacionin e Saint-Pierret në Niort, ishte ish-mesfushori i Blackpoolit, Elliot Grandin, që iu bashkua skuadrës në fillim të stinorit, pasi vendosi të provonte diçka ndryshe. Francezi përfundoi të qenit pjesë e një prej storieve më të mëdha të futbollit në këtë vend këtë stinor.

“Ishte çmenduri, të gjithë njerëzit në media flisnin për fitoren”, shpjegon Grandin. “Kurrë nuk kishte ndodhur më parë, kështu që ka qenë gjë shumë e madhe. Njerëzit janë të lumtur pasi është një storie e rrallë. Është shumë mirë pasi njerëzit nuk dinë shumë për futbollin e Reunionit, kështu që është mundësi e madhe për lojtarët që të dëshmojnë talentin e tyre dhe këtë e bëmë. Tash njerëzit na marrin seriozisht”.

Shkaku i distancës së madhe, skuadra është detyruar të bëjë fluturimin një javë para ndeshjes që të mos vërehet efekti i fluturimit dhe të përgatitet për ndeshjen....(Më gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)