Sport

Tenistët në Australi po ankohen për probleme me frymëmarrje

Foto: Sky News

Tenistja Dalila Jakupoviq, që u detyrua të tërhiqej nga meçi kualifikues i turneut Grand Slam në tenis “Australian Open” për shkak të cilësisë së dobët të ajrit, ka thënë se çdo lojtare me të cilën ka folur i është ankuar për kokëdhembje dhe për probleme me frymëmarrje.

Sllovenja 28-vjeçare është dashur të largohet me ndihmën e stafit mjekësor, pasi filloi të kollitej dhe kishte probleme me frymëmarrje gjatë meçit të raundit të parë kualifikues në Melbourne.

Kualifikimet e së mërkurës janë shtyrë për shkak të ndotjes së madhe të ajrit, si rrjedhojë e vatrave të zjarrit që po vazhdojnë të përfshijnë vendin, raporton BBC. “Është shumë e rrezikshme të luash në kushte siç ishin të martën”, ka thënë Jakupoviq.

Kanadezja Eugenie Bouchard u desh të largohej nga fusha për të marrë trajtim, pasi ankohej për dhembje gjoksi gjatë meçit të së martës.

Australiani Bernard Tomiq po ashtu kishte marrë trajtim në fushë dhe meçi ekzibicional i Maria Sharapovas në Kooyong është anuluar.

Kualifikimet e së mërkurës u mbajtën pas një vonese prej tri orëve, mirëpo rrebeshi i shiut që pasoi pezulloi meçet, transmeton Koha Ditore. “Mendoj se të gjithë kanë vuajtur të martën më tepër sesa ata që luajtën sot. Dje, me këdo që kam folur, të gjithë lojtarët, janë ankuar për kokëdhembje, për dhembje në gjoks dhe për probleme me frymëmarrje. Ishte tmerr”, ka thënë Jakupoviq.

Së paku 28 persona kanë humbur jetën dhe rreth 10 milionë hektarë tokë në Australi janë djegur që nga 1 korriku. Njerëzit në Melbourne ishin këshilluar të martën të qëndronin brenda, ndërsa shikuesit në “Melbourne Park” mbanin maska.

Jakupoviq thotë se nuk vuan nga astma dhe nuk ka pasur probleme me frymëmarrje më herët.
“Në fakt unë preferoj të nxehtin, por kësaj radhe ishte krejt ndryshe. Kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë”, ka thënë Jakupoviq.

Britanikja Harriet Dart, që fitoi meçin e parë të martën, ka zgjedhur një strategji tjetër.
“Unë nuk dola jashtë deri te meçi im. Mendoj se isha me fat që luajta më vonë, pasi kushtet definitivisht u përmirësuan me kalimin e kohës”, ka thënë Dart.