Sport

Medalistja e vetme iraniane olimpike braktis vendlindjen

Descriptive Text

Femra e vetëm iraniane medaliste olimpike ka thënë në mediat sociale se ka ikur nga vendlindja e saj sepse është lodhur së shfrytëzuari nga autoritetet si mjet propagande.

Kampionia e taekwondos, Kimia Alizadeh, e cila fitoi një medalje të bronztë në Lojërat Olimpike në Rio më 2016, la të kuptohet në një postim në Instagram se është shpërngulur në Evropë. Ajo shkroi në llogarinë që e ka përdorur për një kohë, por nuk ishte e mundur të verifikohet lokacioni i saj, raporton Reuters.

“Askush s’më ka ftuar në Evropë dhe s’më kanë ofruar ndonjë ofertë joshëse. Por e pranoj dhimbjen dhe vështirësinë e mizorisë sepse nuk desha të isha pjesë e hipokrizisë, gënjeshtrave, padrejtësisë dhe lajkave”, tha ajo.

Mahin Farhadizadeh, zëvendësministër iranian i Sportit, tha: “Nuk e kam lexuar postimin e Kimias, por me sa di unë, ajo gjithmonë ka dashur t’i vazhdojë studimet në fizioterapi”, ka raportuar agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve iraniane, ISNA.

Alizadeh tha se autoritetet e Republikës Islamike suksesin e saj ia kanë atribuuar menaxhmentit të tyre dhe faktit se ajo ka bartur shaminë islamike, që është obliguese në Iran.

“Jam një prej miliona grave të shtypura në Iran me të cilën ata kanë luajtur me vite të tëra… Kam veshur çfarëdo që më kanë thënë se kam përsëritur çfarëdo që më kanë urdhëruar. Çdo fjali që e kanë urdhëruar ata unë e kam përsëritur”, shkroi ajo, transmeton Koha.net.

“Asnjë prej neve s’ka rëndësi për ta, jemi vetëm mjete”.

Ajo tha se përderisa qeveria po i shfrytëzonte medaljet e saj, zyrtarët do ta ofendonin atë me komente si “nuk është e virtytshme për një grua t’i hap këmbët!”.

Alizadeh, në kohën kur e mori medaljen në kategorinë 57kg, tha se është e lumtur për vajzat iraniane.

Të shtunën ajo u shfaq e shkatërruar nga vendimi i saj.

“A të nisi me një përshëndetje, mirë u pafshim apo ngushëllime? Përshëndetje njerëz të shtypur të Iranit, mirë u pafshim njerëz fisnikë të Iranit dhe ngushëllime për ju njerëz që vazhdimisht mbani zi”, shkroi ajo.

Javën e fundit, 176 persona, shumë nga ta iranianë me shtetësi të dyfishtë, u vranë kur ushtria iraniane gabimisht rrëzoi një aeroplan ukrainas, dhe së paku 56 të tjerë vdiqën në një stampedo në funeralin e komandantit ushtarak iranian të vrarë nga një sulm ajror amerikan.

Alizadeh është sportisti i tretë i madh iranian që ndalon së përfaqësuari vendin muajve të fundit.

Në dhjetor, Federata Iraniane e Shahut tha se kampioni i madh i shahut, Alireza Firouzja, ka vendosur të mos luajë për Iranin për shkak të ndalesës joformale për t’u përballur me lojtarë izraelitë.

Tre muaj më parë, Federata Ndërkombëtare e Xhudos tha se xhudisti iranian, Saeid Mollaei, kishte refuzuar të kthehej në shtëpi nga frika për sigurinë e tij pasi kishte injoruar urdhrat e federatës së tij kombëtare për t’u tërhequr nga luftërat në mënyrë që t’i shmanget një takimi potencial në finale me një izraelit.