Tinejxheri i Flamurtarit pret ftesën e Kosovës

Tinejxheri i Flamurtarit pret ftesën e Kosovës

Tahir Sopi Tahir Sopi 15 December 2019 08:45

Pritja e tij për debutim në Superligën e Kosovës në futboll zgjati gati një vit, por kur iu dha rasti, ai e dëshmoi veten dhe shpejt u stabilizua në ekip. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin 19-vjeçar të Flamurtarit të Prishtinës, Melos Zenunaj, që është ndër futbollistët më të rinj në elitën e futbollit kosovar.

Në fakt, Zenunaj ka pritur dhjetë muaj për të debutuar në elitë, kurse në dhjetë ndeshjet e fundit të pjesës vjeshtore të këtij edicioni ishte i pazëvendësueshëm në repartin defansiv të “kuqezinjve” nga “Xhemajl Ibishi”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zenunaj është detyruar të presë për debutim si te Flamurtari ashtu edhe në Superligën e Kosovës. Ai te Flamurtari u transferua në dhjetor të vitit të shkuar nga Dukagjini i Klinës që atëbotë garonte në Ligën e Parë. Por tek ekipi i ri nuk pati fat me lëndimet dhe kjo bëri që debutimi i tij të shtyhet. Zenunajt iu dha mundësia pas lëndimit të kapitenit Veton Kabashi dhe tinejxheri nuk zhgënjeu me paraqitjet e tij.

Në nëntë ndeshjet e fundit të pjesës vjeshtore, me Zenunajn në përbërje, Flamurtari ka regjistruar tri fitore, tri barazime dhe tri humbje. Zenunaj pret që edhe në pjesën e dytë të këtij edicioni të jetë titullar te Flamurtari dhe ta ndihmoj ekipin në arritjen e synimeve që ka.

“Në nivel personal, gjithmonë pres të përmirësohem, por tani jam i lumtur që kam debutuar për shkak se synimi im ishte që të luaja sa më shumë ndeshje këtë edicion për të marrë përvojë në Superligë. Kështu që, edhe në pjesën e dytë të sezonit pres të jem titullar. Gjatë pushimit dimëror do të punoj shumë për ta mbajtur formën që të mos zhgënjej askënd”, është shprehur Zenunaj në një bisedë për gazetën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme