Sport

Lëndimi ndal Akilin në ditën kur s’kishte të ndalur

Descriptive Text

Dita në të cilën Akil Gjakova është pritur të arrijë suksesin më të madh në karrierën e deritashme, nuk ka përfunduar në mënyrën më të mirë për xhudistin pejan.

Gjakova ka mbetur pa medalje të premten në turneun Masters që po mbahet në Qingdao të Kinës. Me xhudo të nivelit të lartë, 23-vjeçari ka arritur deri në gjysmëfinale, por një lëndim i bërrylit i pamundësoi t’i shkojë deri në fund gjysmëfinales e po ashtu që të paraqitet në luftë për medalje të bronztë, shkruan sot Koha Ditore. Akili u rendit i pesti në kategorinë deri 73 kilogramë, por trajneri Driton Kuka është i bindur se ai do të fitonte të artën në garën e top-xhudistëve botërorë, sikur mos të pësonte lëndimin.

Në Masters të drejtën e pjesëmarrjes e kanë vetëm36 xhudistët më të ranguar në secilën kategori. Kjo garë mbahet vetëm një herë në vit, ndërsa fitohen shumë pikë për renditjen botërore. Vetëm Botërori ofron më shumë pikë për ranglistë prej garave të xhudos. Akili në ranglistën botërore është i nënti, ndërsa ishte bartësi i gjashtë në kategorinë deri 73 kilogramë. Nisi fuqishëm, me fitore me “Ippon” ndaj gjermanit Anthony Zingg. Në luftën e dytë, po me Ippon e mposhti rusin Musa Mogushkov, fituesin e dy medaljeve të bronzta botërore. Kinezi Saiyinjirigala ishte xhudisti i tretë i kaluar nga Akili. Edhe ai pësoi me Ippon.

Kështu xhudisti pejan arriti në gjysmëfinale ku përballë e kishte japonezin Soichi Hashimoto. Hashimoto është ish-kampion botëror dhe i dyti në ranglistën botërore. Akili bëri luftë të barabartë me të, para se të lëndonte bërrylin. Në fakt xhudisti japonez tentoi të bënte hudhje, ndërsa Akili ra keq në tatami – me bërryl të dorës së majtë. Menjëherë kuptoi se ka pësuar lëndim serioz, duke bërë me shenjë se nuk mund të vazhdojë. Gjyqtarët e shpallën fitues japonezin, ndërsa sportisti kosovar u largua me barelë nga arena. Hashimoto më pas fitoi medaljen e artë. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)