Sport

Ancelotti thotë se s’do të japë dorëheqje nga Napoli

Foto: Reuters

Carlo Ancelotti ka konfirmuar se “nuk do të japë dorëheqje” nga Napoli, por nuk ka përjashtuar largimin, teksa ka thënë se do të takohet të mërkurën me presidentin e klubit.

Sipas raportimeve të fundit, italiani do të largohet me Gennaro Gattuson që do ta zëvendësojë.

Napoli fitoi të martën ndeshjen me Genkun për të kaluar fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve.

I pyetur pas ndeshjes nëse ai do të jetë te Napoli edhe për ndeshjen e së shtunës në Serie A ndaj Parmas, Ancelotti ka thënë se do ta lasë me presidentin e klubit.

“Shpresoj, por është diçka që duhet të vlerësoj me presidentin dhe do të takohemi nesër. Nuk di për kontaktin me trajnerë të tjerë, ne jemi fokusuar vetëm për ndeshje. Nesër do të ketë një takim për situatën aktuale. Nuk kam dhenë kurrë dorëheqje dhe nuk do të jap. Ky ekip ka kualitet dhe e ka dëshmuar në Ligën e Kampionëve, ndërsa s’kemi qenë në gjendje ta bëjmë akoma në Serie A”, ka deklaruar ai për “Sky Sport”.

Pas 15 xhirove në Itali, Napoli është i shtati me 21 pikë.