Sport

Boksieri Rrasi, pjesë e gjeneratës që premton shumë

Prishtinë, dhjetor - Në Federatën e Boksit të Kosovës janë shumë optimistë për të ardhmen. Ndonëse aktualisht numri i boksierëve seniorë kosovarë është jo shumë i madh, në Federatë vlerësojnë se në klube po zhvillohet një gjeneratë e re boksierësh me potencial për t'i sjellë vendit medalje nga ngjarjet më të mëdha. Prej klubeve kryesore në vend është Gjakova 137, ku mjeshtëritë e sportit të vështirë të ringut po i përvetëson Jozef Rrasi, shkruan sot Koha Ditore.

Rrasi është prej boksierëve me shumë potencial të vendit. Të paktën kështu vlerësojnë në klubin e tij. 19-vjeçari ende nuk është testuar seriozisht në skenën ndërkombëtare, por ka zhvilluar dhjetëra luftëra të forta në vend. Është folur sidomos për paraqitjen e tij në turneun më të madh në vend, "Adem Jashari", që muajin e kaluar u mbajt në Prishtinë.

Rrasi boksoi në kategorinë deri 69 kilogramë, kurse në gjysmëfinale e mposhti boksierin bullgar Yulian Bonzov me rezultatin 2:0. Më pas në finale u përball me Patriot Behramin, të vlerësuar si boksieri aktualisht më i mirë në vend. Boksieri gjakovar e nisi fuqishëm meçin më interesant të turneut ndërkombëtar, duke e hedhur në dysheme Behramin që në raundin e parë.

Pas nokdaunit që pësoi Behrami, pasoi një seri tjetër goditjesh nga Rrasi dhe gjyqtari në ring i numëroi sërish Behramit. Por boksieri i Gollakut rezistoi, ndonëse kishte vlerësime të ndryshme nëse meçi është dashur të ndërpritej pas numërimit të dytë. Dilema të tjera u krijuan për vlerësimin e gjyqtarëve për raundet e tjera, ndërsa në fund Behrami u shpall fitues (2:0).

Në fund meçi i tyre u vlerësua më luftaraku, ndonëse Behrami shihej si favorit për të fituar trofeun "Adem Jashari". Boksieri më i mirë u shpall Shpëtim Bajoku, një tjetër anëtar i gjeneratës së re.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)