Sport

Joshua kërkon ta kthejë respektin me fitore ndaj Ruizit

Instinkti vrasës duket se i është kthyer Anthony Joshuas, ai instinkt që e kishte bërë të kalonte nga rrugët e vështira të Watfordit deri te maja e boksit botëror.

Andy Ruiz Jr. duhet të ketë kujdes në shkretëtirë, të shtunën mbrëma.

Anthony Joshua ka udhëtuar në Arabi Saudite për brezat e kampionit. Brezat i ishin marrë Joshuas nga Ruiz Jr. në një nga befasitë më të mëdha në histori të boksit.

Që nga ajo ditë qershori në New York, Joshua ka ndier për herë të parë kritikat në karrierën e tij të lavdishme, shkruan “Daily Mail”, transmeton Koha Ditore. Reagimi i tij është pritur gjatë, por ai planifikon ta bëjë këtë pas meçit të së shtunës mbrëma.

“Kur të fitoj, atëherë do t’iu them të gjithëve të shporren”, ka thënë britaniku Joshua.

Joshua rrallë ka folur publikisht në këtë mënyrë që nga jeta e tij në banda në rini.

Por asnjë njeri nuk mund të largohet plotësisht nga rrënjët e veta. Kështu që kur pranoi detyrën për t’u përballur me Ruizin e rrezikshëm në meçin e tij të parë në Amerikë, ai e mban në mend se si emrat e tjerë ishin të zënë në atë kohë dhe nuk kishte shumë opsione.

“Nuk ka rëndësi, unë dua të përballem me më të mirët në botë. Pasi fitova të artën olimpike në Londër në vitin 2012 dhe u ktheva më pas në profesionizëm, xhaxhai im më dha një listë të emrave nga të cilët duhej të kisha kujdes. Ruiz ishte në atë listë. Ne gjithmonë e dinim se ai është boksier i mirë”, ka thënë Joshua.

I pyetur se çfarë po i mungon nga të qenit kampion bote, ai thotë: “Nuk janë rripat e kampionit. Është respekti. Pëson një humbje dhe fillon të dëgjosh se çfarë kanë menduar vërtet njerëzit për ty. Ne nuk luajmë lojë në boks. Çfarë mendojnë njerëzit se është kjo? Është luftim? Është shumë serioze. Jepni pak respekt ndaj asaj që bëjmë. Kjo është si vrasje. Mposht njërin, shkon te tjetri e më pas te tjetri. Unë kam pasur kohë të reflektoj. Më janë dashur tri javë për të përballuar atë humbje. Unë e marr këtë shumë seriozisht. E marr edhe më seriozisht tash që të shkoj në nivel tjetër”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)