Sport

Bunjaku, “autori” i fitores së parë zyrtare të Kosovës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të dielën (sot) i jep fund ciklit të parë eliminator për Kampionat Evropian. Vlerësohet të jetë një cikël i suksesshëm me shumë fitore e paraqitje të mira gjatë tij. Entuziazmi rreth përfaqësueses ka prekur kulmin.

Ky entuziazëm e kjo ecuri dukeshin të largët në fillim të vitit 2014, kur FIFA i kishte dhënë leje Kosovës për të luajtur miqësore. Kosova më 5 mars 2014 kishte barazuar pa gola me Haitin në Mitrovicë. Në maj të atij viti pësoi 6:1 nga Turqia në Mitrovicë e më pas 3:1 nga Senegali në Gjenevë të Zvicrës. Ishte kohë kur vetëm zhvillimi i ndeshjeve, edhe pse ato miqësore, vlerësohej sukses i madh. Gjetja e kundërshtarëve ishte sfidë e vërtetë. Për terminin e muajit shtator, për kundërshtar ishte gjetur Omani, një vend aziatik që nuk është i njohur për futboll të zhvilluar, shkruan Koha Ditore.

Në pasditen e 7 shtatorit të vitit 2014, Kosova shënoi fitoren e parë në ndeshjet zyrtare miqësore. Imran Bunjaku kishte shënuar nga penalltia në minutën e 85-të për fitoren 1:0 të Kosovës. Kosova tashmë kishte nisur të luante ndeshje në stadiumin e qytetit në Prishtinë. Startoi me: Samir Ujkanin, Fanol Përdedajn, Leart Paqaradën, Avni Pepën, Ilir Berishën, Anel Rashkajn, Ardian Gashin, Loret Sadikun, Kristian Nushin, Shpëtim Hasanin e Bersant Celinën. Ishin aktivizuar edhe Flamur Kastrati, Imran Bunjaku, Dardan Rexhepi, Shkodran Metaj, Kushtrim Lushtaku e Enis Bunjaki. Disa prej tyre, si Celina, Rashkaj, Paqarada e Ujkani vazhdojnë të luajnë për Kosovën. Të tjerët as që janë në konkurrencë të ngushtë për një vend në përfaqësuese. Larg përfaqësueses aktualisht vlerësohet të jetë edhe lojtari vendimtar i atij takimi, Imran Bunjaku. Ai ishte aktivizuar në vend të kapitenit të atëhershëm Anel Rashkaj, në minutën e 71-të. Dhe mori përgjegjësinë për të ekzekutuar penalltinë e siguruar nga rezervisti tjetër, Kushtrim Lushtaku.

“Jam shumë i lumtur për fitoren që u takon të gjithëve. Më duhet ta analizoj për të ditur se çfarë kam bërë. Jam shumë i emocionuar”, kishte deklaruar Imran Bunjaku, atëbotë 21-vjeçar... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)