Sport

Berishës po i kthehet në makth transferimi që duhej ta shtynte para

Te Kosova vazhdon të jetë lojtar i rëndësishëm, por Valon Berisha po kalon periudhë të vështirë në nivel klubesh. Kalimi te Lazio është pritur të jetë hap i madh para në karrierën e mesfushorit, por deri më tash Berisha është përmendur kryesisht për gjëra e momente negative.

Të enjten mbrëma, Berisha ka pasur një prej momenteve më të vështira në karrierë. Në stadiumin “Olimpico” në Romë, Lazio u përball me Celticun skocez në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Evropës. Berisha u aktivizua në minutën e 82-të, ndërsa është vlerësuar fajtor për golin që Lazio e pësoi në minutën e 95-të. Lazio pësoi 2:1 dhe është thuajse pa gjasa për kalim tutje, shkruan sot Koha Ditore.

Në kohën kur Lazio po kërkonte golin e fitores, topi shkoi te Berisha në mesin e fushës. Trajneri po i kërkonte të bënte pasim të gjatë, por mesfushori vendosi për të pasuar afër. Megjithatë në vend se ta dërgojë topin te bashkëlojtari, e dërgoi te kundërshtarët. Celticu shfrytëzoi “dhuratën” dhe realizoi golin e fitores, 2:1. Berisha kapi kokën duke pranuar gabimin, ndërsa është raportuar se ka lëshuar fushën duke qarë. Para se të bënte gabimin e rëndë, Berisha ka lëshuar rast të mirë shënimi.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)