Gareth Bale nuk është në dispozicion për të luajtur për Real Madridin në ndeshjen e së mërkurës mbrëma në Ligën e Kampionëve kundër Galatasarayt për shkak të lëndimit, ndonëse ai është ftuar në përfaqësuese të Uellsit për ndeshjet e ardhshme eliminatore të “Euro 2020”. Lajmin e ka bërë të ditur të martën në konferencën për media trajneri i Realit, Zinedine Zidnae.
Bale nuk është paraqitur për Realin qëkur u lëndua në barazimin 1:1 të Uellsit me Kroacinë, më 13 tetor, por të martën ai është përfshirë në skuadrën e Ryan Giggsit për ndeshjet kyç eliminatore kundër Azerbajxhanit dhe Hungarisë.
Real Madridi nuk ka lëshuar ndonjë njoftim për gjendjen shëndetësore të Balet.
“Ne do të shohim se si do të jetë ai në fundjavë dhe do të shohim nëse do të jetë në gjendje të shkojë me përfaqësuese ose jo. Për momentin, ai nuk është i gatshëm”, ka thënë Zidane, raporton Reuters, transmeton Koha Ditore. “Uellsi ka të drejtë të ftojë atë dhe lojtari dëshiron të kurohet, kjo nuk diskutohet”.
Giggs kishte thënë se shpreson që Bale të paraqitet për klubin e tij të shtunën në ndeshjen kundër Eibarit para se t’i bashkohet Uellsit. Mirëpo Zidane ka thënë se lojtari nuk është afër që të jetë plotësisht i gatshëm fizikisht.
“Ne duam që lojtari të jetë shëndosh dhe problemi momentalisht është se ai nuk është në gjendje të kompletojë një stërvitje të plotë”, ka thënë Zidane.
Francezi më herët kishte shprehur dëshirën për të larguar Balen nga skuadra dhe në korrik ai tha se “Bale është i lirë të largohet qysh nesër nëse do”.
Por ai ka ofruar simpati për problemet e vazhdueshme me lëndimet që po i ka Bale dhe shpreson që 30-vjeçari të mbetet te Reali deri në qershor të vitit të ardhshëm.
“Unë mund t’u them tifozëve tanë se lojtari është ai që vuan më së tepërmi në situata të tilla. Ai është lënduar, është kthyer këtu dhe nuk është rikuperuar. Dëshiron të rikuperohet, dëshiron të luajë. Njerëzit po thonë se nuk më pëlqen Bale, se dua që të largohet në janar, por është çmenduri. Unë dua që ai të qëndrojë deri në fund të stinorit”, ka shtuar Zidane.
Kampioni i 13-të fishtë i Evropës, Reali, ka pasur një fillim të vështirë në Ligën e Kampionëve, por dy javë më parë u ngrit në pozitën e dytë në Grupin A me katër pikë, pas fitores 1:0 në udhëtim ndaj Galatasarayt, skuadër të cilën e pret në Madrid të mërkurën.
Paris Saint-Germain kryeson grupin me nëntë pikë nga tri ndeshje dhe të mërkurën e pret Club Bruggen.
“Të marrim gjërat një pas një. Së pari kemi ndeshjen me Bruggen dhe do të fokusohemi vetëm në këtë. Ne jemi të fokusuar po ashtu në ligë, por është e vërtetë se Liga e Kampionëve është garë e madhe, ku jemi të koncentruar më tepër. Është vetëm nëntori. Asnjë skuadër nuk ka fituar Ligën e Kampionëve në nëntor. Real Madridi ka arritur shumë në Ligën e Kampionëve, por nuk e ka fituar këtë garë në nëntor apo dhjetor”, ka thënë trajneri i Parisit, Thomas Tuchel.