Trajneri i skuadrës së Lazios, Simone Inzaghi, ka thënë se ka besim të madh te Valon Berisha, pasi mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës po angazhohet shumë në stërvitje dhe se gjatë këtij edicioni do të ketë minutazhë të mjaftueshme për të, përcolli të martën sajti italian “Tuttomercato24”.
Berisha këtë edicion ka dy paraqitje në Ligën e Evropës dhe një tjetër në Serie A. Ai është pjesë e Lazios prej verës së vitit të shkuar, kur u transferua nga Red Bull Salzburgu, por pati probleme të shumta me lëndimet, transmeton “Koha Ditore”.
“Valon Berisha po stërvitet shumë dhe jam i kënaqur me atë që po tregon. Ai ka konkurrencë të fortë në pozitën e tij, por do të ketë ndeshje të mjaftueshme për të luajtur. Pres që ai t’i shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të mundshme këto mundësi për të treguar se është një profesionist i vërtetë”, është shprehur Inzaghi.
Berisha ka kontratë me ekipin italian deri në verën e vitit 2023. Lazio aktualisht zë vendin e gjashtë në Serie A, me 15 pikë të tubuara pas nëntë xhirove.