Sport

Prishtina niset drejt Gjermanisë me plot optimizëm

Foto: Koha

Fitorja bindëse në xhiron e parë të FIBA Europe Cup ndaj ekipit qipriot, APOEL Nicosia (93:74), ka shtuar shpresën te Sigal Prishtina se mund të arrijë suksesin e sezonit të kaluar, kur përfundoi mes 16 më të mirave në këtë garë.

Por deri në këtë fazë ka kohë, duhet pengesa për t’u kaluar. E pengesa e radhës është skuadra gjermane medi Bayreuth.

Ndeshja luhet nesër (e mërkurë, 20:00) në Gjermani, në kuadër të xhiros së dytë të FIBA Europe Cup.

Ekipi i Prishtinës është nisur të martën drejt Gjermanisë, me shumë optimizëm, pas ndeshjes së mirë që tregoi ndaj ekipit qipriot.

Medi Bayreuth pësoi në ndeshjen e parë nga Ventspilsi (95:77), ekipi tjetër i Grupit C.

Te Prishtina besojnë në paraqitje të mirë edhe kundër ekipit gjerman. Trajneri i Prishtinës, Bujar Loci, beson se lojtarët e tij do ta japin maksimumin sikurse ndaj qipriotëve. Ai pranon se medi Bayreuth do të jetë kundërshtar dukshëm më i fortë se APOEL-i ,shkruan “Koha Ditore”.

“E kemi parasysh se na pret një takim i vështirë, pasi gjermanët kanë ekip më të fortë, por ne jemi të gatshëm për këtë ndeshje dhe maksimalisht të motivuar pas fitores që e shënuam ndaj APOEL-it. Pres të japim çdo gjë nga vetja dhe të kthehemi me fitore nga kjo ndeshje e fortë. Është shumë e rëndësishme për ne një fitore në udhëtim, të cilën do të mundohemi ta regjistrojmë qysh tash”, është shprehur Loci. “Kemi punuar mirë gjatë tërë javës dhe fokusi ynë pas APOEL-it ishte Bayreuthi. Natyrisht se gjermanët do të kërkojnë fitoren në shtëpi pas humbjes në udhëtim, por besoj në ekipin tim”.

Në kampionatin vendor Sigal Prishtina është lidere me 11 pikë pas gjashtë ndeshjeve të luajtura deri më tash. E medi Bayreuthi nuk ka treguar formë të mirë as në kampionatin e Gjermanisë, pasi ende nuk di për fitore, por niveli i ligës në këtë vend është pothuajse i pakrahasueshëm me të Kosovës.

Skuadra gjermane në radhët e veta ka gjashtë amerikanë.

Trajneri i ekipit gjerman, austriaku Raoul Korner, ka paralajmëruar basketbollistët e tij në prag të ndeshjes me Prishtinën. Ai për uebfaqen zyrtare të klubit ka shtuar se Bayreuthit i duhet medoemos fitorja ndaj Prishtinës, të cilën e ka vlerësuar lart. Sipas tij, te Prishtina, lojtari kryesor është Dardan Berisha, i cili edhe u zgjodh basketbollisti i xhiros së parë në FIBA Europe Cup me votat e tifozëve.

“Prishtina është ekip shumë i mirë që në fund të fundit lojën e mbështet në katër lojtarë, prej të cilëve kryesori është Dardan Berisha. Te Prishtina ka shumë pak pushim për lojtarët kryesorë dhe pesëshja e parë pothuajse është në parket gjatë tërë kohës. Për ne kjo ndeshje është shumë e rëndësishme dhe pres një intensitet të lartë nga ekipi im, pasi mund të jetë i efektshëm për ta fituar ndeshjen”, është shprehur Korner. “Në mbrojtje Prishtina është agresive, por ne luajmë në shtëpi dhe kemi mundësitë tona. Me ardhjen e lojtarit të ri, fytyra e ekipit tonë ka ndryshuar dhe besoj se efekti i tij do të vërehet qysh në ndeshje me Prishtinën. Kemi nevojë për këtë fitore pas humbjes së thellë në xhiron e parë”.

Për ekipin gjerman kjo është hera e parë që paraqitet në FIBA Europe Cup, pasi dy edicionet paraprake luajti në Ligën e Kampionëve, ku në edicionin 2017/18 arriti deri në çerekfinale.

Prishtina po paraqitet për edicionin e pestë në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup.