Sport

Emery: Xhaka duhet të kërkojë falje për sjelljen ndaj tifozëve

Foto: Reuters

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka thënë se kapiteni Granit Xhaka është i mërzitur për përplasjen që kishte pasur me tifozët e klubit në barazimin me Crystal Palacen të dielën, por ka shtuar se mesfushori shqiptar duhet të kërkojë falje për sjelljet.

Xhaka kishte fyer tifozët që e fishkëllenin dhe teksa dilte nga fusha në momentin e zëvendësimit, ai u largua në drejtim të tunelit.

Në një konferencë për media të martën, Emery ka thënë se ka folur me Xhakën dhe se atij tash i vjen keq për ngjarjen.

“Nuk është e lehtë për të dhe ekipin. Ai tani është i shkatërruar, i shkatërruar dhe i mërzitur. Kemi folur dje dhe të dielën kam folur po ashtu. Këtë mëngjes, ai ushtroi normalisht me grupin, por është i shkatërruar dhe i mërzitur për situatën. Përkushtimi i tij me klubin është i mrekullueshëm çdo herë. Ai dëshiron të ndihmojë. Ai e di që ishte gabim. Ishte gabim dhe këtë e ndjen thellë brenda vetes. Por ajo është normale si qenie. Ju duhet – dhe të gjithë duhet – të kenë përkrahjen e tifozëve. Kemi folur shumë për këtë. Ne udhët të mësohemi se kur kemi lojëra të mira dhe momente të mira, ata na duartrokasin dhe jemi të lumtur. Por kur kemi momente të vështira ose po marrim kritika, ne duhet të jemi të fortë e të dimë të mësohemi të luajmë nën presion”, ka deklaruar Emery.

Emery ka thënë se Xhaka duhet të kërkojë falje për këtë dhe ka shtuar se do t’ia sugjerojë një veprim të tillë.

“Po. Mendoj se kur bëjmë gabime individuale, duhet të kërkojmë falje për rrethanat. Preferoj ta bëj këtë. Ne ia sugjerojmë këtë”, ka thënë trajneri i Arsenalit.

I pyetur se a mbetet Xhaka personi i duhur për të qenë kapiten i Arsenalit, Emery ka thënë se “tashmë e ka shpjeguar pse e ka caktuar Xhakën kapiten”.

“Ai ka vlerat, ka respektin e grupit, ka eksperiencën dhe është kapiten i kombëtares së tij. I ka kushtet për të qenë kapiten. E kam vendosur këtë dhe lojtarët e kanë respektuar. Ishte gabim të dielën dhe ishte gabim përgjigja që ai mori të dielën, si kapiten”, ka shtuar ai.

Se a do të mbetet Xhaka kapiten pas përplasjes me tifozët, Emery ka shtuar se do të shikojnë situatën “hap pas hapi”.

“Fillimisht është koha të rikuperohet, si qenie, si lojtar. Më pas do të vazhdojmë të flasim se si mund të përmirësohemi, se si të vazhdojmë me të, me ekipin dhe të gjithë”, ka thënë ai duke shtuar se nuk dëshiron të flasë nëse menjëherë do t’ia heqë shiritin e kapitenit.