Sport

Postimi i tifozit të Arsenalit për trajtimin ndaj Xhakës bëhet viral në Twitter

Foto: Reuters

Një fans i Arsenalit ka bërë një postim në Twitter për mungesën e respektit nga disa fansa të “Topçinjve” drejt lojtarëve të klubit, pas incidentit të fundit të kapitenit Granit Xhaka.

Postimi është bërë viral në këtë rrjet social.

Kapiteni i Arsenalit, Granit Xhaka, u zëvendësua me shumë zhurmë të dielën në barazimin 2 me 2 ndaj Crystal Palacet. Reprezentuesi i Zvicrës shau tifozët e Arsenalit që e fishkëllenin dhe hoqi fanellën teksa dilte në drejtim të tunelit, transmeton Koha.net.

Tani një fans i Arsenalit përmes Twitterit ka dhënë një version që ka bërë bujë në këtë rrjet social.

“Eboue u fishkëllye, Ramsey dhe familja e tij u abuzuan, Wengeri ishte abuzuar, Mustafi dhe Xhaka u fishkëllyen e u abuzuan në rrjete sociale. Unai caku më i fundit. Kjo vjen nga baza e njëjtë e fansave që flet për klasin, traditën e historinë tonë me krenari. Çfarë fansa helmues që jemi bërë”, ka shkruar ai.

Në këtë postim është renditur lista e lojtarëve që ishin pre e reagimeve të ashpra të tifozëve të “Topçinjve”.

Eboue kishte pasur një rast të pazakontë në ndeshjen e 2008-s ndaj Wigan Athleticut. Kur ishte zëvendësuar pak pasi kishte hyrë në ndeshje, tifozët kishin brohoritur me gëzim. Mbrojtësi kishte dalë nga fusha i mërzitur. Qendërmbrojtësi aktual, Shkodran Mustafi, njihet si figurë që është përçmuar nga tifozët e klubit. Ish-trajneri Arsene Wenger në vjetët e fundit u përball me shumë protesta.