Sport

Emery deklarohet nëse Xhaka do të mbajë shiritin e kapitenit tek Arsenali pas përplasjes me tifozët

Descriptive Text

Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, ka thënë se kapiteni Granit Xhaka nuk kishte të drejtë të reagonte ndaj tifozëve të klubit që e fishkëllyen teksa ai largohej nga fusha në ndeshjen me Crystal Palacen në Premier Ligë.

Xhaka fyeu tifozët dhe hoqi fanellën e klubit duke u larguar nga fusha dhe nuk u ndal në bankën rezervë, por iku drejt zhveshtores (VIDEO). Pas takimit, Emery kritikoi kapitenin e klubit dhe madje u pyet nëse mesfushori shqiptar do të vazhdojë të mbajë shiritin e kapitenit te “Topçinjtë”.

“Ishte gabim. Ishte gabim. Tani duhet të rrimë të qetë dhe të flasim me të, të flasim për këtë reagim. Reagimi i tij ishte i gabuar në atë moment. Po punojmë, unë dhe klubi, brenda çdo lojtari që të menaxhojë lojën nën presion. Duhet të jemi të mençur dhe të krijojmë sjellje të punës nën presion ashtu që mendja jonë të jetë e qartë. Mund të luajmë me zemër dhe mund të jetë nxehtë në disa momente, por duhet të jemi të mençur. Do të flasim për këtë, sigurisht, sepse reagimi ishte i gabuar. Do të flasim me lojtarët dhe klubin për këtë reagim”, ka thënë ai, njofton uebfaqja zyrtare e Arsenalit.

“Jemi këtu për shkak se kemi përkrahës. Jemi punëtorët këtu, por luajmë për ta. Duhet të kemi më shumë respekt për ta, në duartrokitje e kritika”, ka shtuar tutje Emery.

I pyetur nëse Xhaka do të mbetet kapiten i Arsenalit, Emery ka shtuar se s’është koha të flitet për këtë.

“Fillimisht dua të flas me të dhe me klubin, dhe duam që të jemi të qetë para se të flasim për këtë. Ai nuk kishte të drejtë të bënte ashtu”, ka deklaruar trajneri i “Topçinjve”.

Emery ka përsëritur se edhe vetë ka qenë në situata të tilla, por e ka quajtur përsëri gabim sjelljen e Xhakës, transmeton Koha.net.

“Neve na duhen përkrahësit dhe ata na kritikojnë, ne duhet të ngrihemi në këmbë. Kur na duartrokasin, ne duhet të rrimë të qetë, sepse ata janë përkrahësit tanë dhe ata janë arsyeja e punës sonë”, ka shtuar ai.

Arsenali sot barazoi 2 me 2 me Crystalin, edhe pse pati epërsi prej dy golash në fillim të takimit.