Atletico Madridi mund të ketë nevojë për më shumë kohë që të komponohet si ekip pas një vere me ndryshime, por klubi në fillim të edicionit po përballet me problemet e vjetra që po hedhin dyshime sa i përket triumfit të kërkuar në La Liga.
Pas 77 minutave lojë defensive, sulmuesi Alvaro Morata shënoi me kokë gol pas harkimit të Renan Lodit për t’ia siguruar fitoren Atleticos ndaj Bayer Leverkusenit (1:0) në stadiumin “Wanda Metropolitano”.
Kjo fitore, pothuajse i siguroi Atletico Madridit kalimin në fazën e nokautit në Ligën e Kampionëve, por nuk kënaqi tifozët spanjollë që kanë pritur nismë më të mirë të ekipit. Pas ndeshjes, Morata iu kundërpërgjigj kritikëve dhe trajnerit Diego Simeone, shkruan sot Koha Ditore.
“Njerëzit jashtë ekipit po insistojnë se po kalojmë periudhë të keqe. Por, në La Liga ne jemi vetëm tri pikë larg vendit të parë dhe në ‘Champions’ kemi tubuar shtatë pikë në tri ndeshje. Kjo nuk mund të jetë periudhë e keqe”, tha Morata.
Sidoqoftë, Morata edhe golin e festoi në shenjë kundërpërgjigje, pasi vrapoi drejt bankës për ta përqafuar mesfushorin Koke, i cili ishte vërshëllyer nga tifozët e irrituar me lojën e ekipit.
Me këtë veprim, Morata sugjeroi se kjo fitore ndaj Leverkusenit ishte e nevojshme edhe për lojtarët. Simeone është ikonë tek Atletico, ekip që e udhëhoqi drejt titullit të kampionit në vitin 2014 kur bëri mrekullinë edhe pse nuk kishte as gjysmën e buxhetit të Barcelonës apo Real Madridit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)