Sport

19 trofetë e Bardhylit

Bardhyl Hajdaraj

Bardhyl Hajdaraj ka fituar shumë trofe në karrierë. Por ai thotë se të dielën ka festuar sikur të kishte fituar të parin, ndonëse mund të mburret me 19 trofe në volejbollin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Hajdaraj të dielën fitoi titullin e kampionit të Kosovës me Pejën. Peja fitoi tri ndeshjet finale të plejofit kundër Lubotenit, për ta mbrojtur titullin e kampionit në volejboll.

Hajdaraj 34-vjeçar thotë se nuk ka qenë rrugëtim i lehtë, meqë është përballur me lëndime.

“Edhe pse periudha që luajmë gjatë vitit është e shkurtër, rrugëtimi për mua ka qenë pak më i gjatë sepse jam kthyer pas një lëndimi të rëndë dhe gjithë kohën më kanë përcjellë problemet. Por në fund fituam titullin. Me këtë sukses është thyer edhe një tabu. Në Kosovë në 15 vjetët e fundit nuk ka arritur ta mbron titullin asnjë skuadër”, ka thënë Hajdaraj të hënën.

Hajdaraj edicionin e kaluar, sa ishte pjesë e KV Ferizaj, pati pësuar lëndim të rëndë në gjysmëfinale të kupës së Kosovës.

“I pata këputur tri ligamente të nyjës, e po ashtu edhe nyjën e këmbës së djathtë e pata thyer. Lëndimi ka ndodhur në prill. Jam kthyer në parket në fillim të kampionatit me shumë rezerva dhe para kohe, në fund të muajit shtator. Nga viti 2004 luaj me ‘gjysmë dore’ dhe nga viti 2009 me ‘gjysmë këmbe’. Për Kosovë kam pasur nivel të mirë, por është shuar ëndrra të dalë jashtë sepse kam luajtur gjithmonë me probleme”, thotë Hajdaraj.

Ai tregon se për Pejën ishte titulli i pestë, ndërsa për të titulli i tetë i kampionit. Ka fituar 11 kupa me klube të ndryshme. Ka motiv për të vazhduar të fitoj edhe më shumë trofe.

“Peja ka fituar shtatë kupa, ndërsa unë kam 11 në Kosovë dhe Shqipëri deri tash. Trofetë janë gjithmonë një motiv më shumë për të vazhduar. Unë njihem si luftarak dhe shpeshherë kam dalë nga vetja vetëm për të fituar qoftë edhe nëse kam qenë i lënduar ose i rikthyer më shpejt sesa është pritur. Këtë e kam bërë vetëm për të qenë protagonist. Fati i keq sportiv më ka penalizuar shpesh, por nuk jam dorëzuar. Pas disa vjetësh, do ta përshkruaj më mirë karrierën dhe trofetë, sepse priten ende”, është shprehur Hajdaraj.

Ai trofe ka fituar me KV Prishtina, SK Studenti i Tiranës, KV Besa e Pejës, AKPA “Te Luzha” të Ferizajt, Lubotenin dhe Ferizajn.

“Me të gjitha klubet që kam luajtur kam fituar gjithçka. Por ëndrra që kam pasur nuk më është realizuar. Në fakt nuk do të më realizohet që të luaj për ndonjë klub në Evropë”, ka theksuar Hajdaraj.

Ai pret që me Pejën të luajë në garat evropiane.

“Nëse nuk do të marrim pjesë në Ligën e Kampionëve ose CEV Cup, në garën e tretë për nga rëndësia Challange Cup do të kemi mundësi të luajmë. Është garë ku niveli është i barabartë dhe shpenzimet janë më të përballueshme”.

Hajdaraj nuk jep garanci që mund të mbetet te Peja. Thotë se varet nga kushtet që do t’i ofrohen.

“Unë jam lojtar i Pejës dhe do të jem këtu derisa nuk përputhen kërkesat dhe oferta. Në sport kurrë nuk i dihet së ardhmes, por që sigurt do të jem aty ku ka pretendime për të gjithë trofetë. Nëse Peja e sheh të ardhmen me mua padyshim që unë do t’i qëndroj besnik”, ka theksuar Hajdaraj.

Ai thotë se niveli i volejbollit në Kosovë është rritur.

“Konkurrencë ka pasur gjithmonë, ndërsa në klubet ku kam luajtur unë gjithmonë konkurrenca ka qenë më e madhe, sepse pritshmëritë gjithmonë kanë qenë maksimale dhe është luftuar për trofe. Kjo ka bërë që edhe organika e lojtarëve të jetë e përzgjedhur nga më të mirët e mundshëm në Kosovë. Të ardhurit nga jashtë e kanë shtuar edhe cilësinë dhe e kanë ngritur nivelin e lojës në Kosovë dhe të kampionatit në përgjithësi”.

Hajdaraj nuk e mendon pensionimin.

“Derisa ta kem shëndetin do të kem edhe motiv për të vazhduar të luaj dhe të fitoj trofe. Do të jem i gatshëm derisa t’u duhem klubit dhe volejbollit, përndryshe do të tërhiqem si i ka hije një kampioni. Nuk do të vazhdoj të luaj me nivel të ulët”, ka thënë Hajdaraj.

Në prill ai fitoi edhe Kupën e Kosovës me Pejën.