Nëse jeni banor i lagjes “Wetherby” në West Yorkshire, atëherë gjasat janë shumë të mëdha që brenda ditës ta shihi disa herë trajnerin e Leeds Unitedit, argjentinasi Marcelo Bielsa.
Bielsa, që është një hero i madh në stadiumin "Elland Road", bën jetë shumë modeste në qytetin e qetë, saqë të gjithë habiten me të, transmeton Koha Ditore shkrimin e The Sun.
64-vjeçari, i cili te Leeds Unitedi ka pagë vjetore prej shtatë milionë eurosh, jeton në një banesë të vogël - garsoniere - të marrë me qira që gjendet në afërsi të qendrës stërvitore të ekipit që bën gara në Championship (kategoria e dytë angleze).
Ai për çdo ditë shihet duke shkuar në këmbë, qoftë në qendrën stërvitore apo stadium, me një çantë shpine në të cilën mban gjithçka që i duhet. Kur është duke punuar në taktika, atëherë ai merr me vete personalin e tij dhe shkon në një kafene.
Në fakt, Bielsa është frekuentuesi më i madh i lokalit "Costa Caffe", ku në tavolinën e tij gjithmonë nxjerr një fletë të formatit A4, në të cilën shkruan taktikat që mendon t'i aplikojë në ndeshjen e radhës.
Edhe pse ka nofkën "El Loco", që do të thotë "I Çmenduri", Bielsa që mori drejtimin e Leedsit para fillimit të edicionit të shkuar, ka një jetë shumë të thjeshtë në këtë qytet anglez.
Kërkesat e veçanta
Obsesionues, është fjala më adekuate për t'i përshkruar metodat e punës së Bielsas në klub. Ai ishte joshur nga Leeds Unitedi për shkak të traditës së klubit, që pas më shumë se një dekade po e kërkon kthimin në Premier League.
Leeds Unitedi është themeluar para 99 vjetësh dhe në historinë e tij ka tre tituj kampioni të Anglisë. Është raportuar se Bielsa aspak nuk ka qenë i interesuar me kushtet e kontratës së tij, por përpara se të pranojë postin ka kërkuar disa ndryshime në klub derisa ka negociuar me drejtuesit e Leedsit në Buenos Aires.
Ai kishte kërkuar ndërrimin e tërësishëm të barit në stadium, në mënyrë që para fillimit të edicionit të mund të aplikojë stërvitjet e tij të veçanta...(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)