Sport

Cordon, arkitekti prapa rritjes së Granadas

Drejtori i njohur sportiv në botën e futbollit, Antonio Cordon, ishte frustruar te skuadra e Monacos në vitin 2017. Pasi kishte parë ekipin të fitonte titullin e kampionit në Ligue 1, ai kishte kuptuar se gjithnjë e më pak kishte kontrollin mbi shitjen e futbollistëve. Kjo bëri që Cordon të ofronte dorëheqjen dhe të largohej nga Monaco pas vetëm një viti. Ai u zhgënjye që për një kohë të shkurtër u bë kaq i parëndësishëm.

Edhe pse spanjolli nuk pati mungesë të ofertave pas largimit nga "Stade Louis II", me skuadrat si Real Madridi, Barcelona e Chelsea që kërkonin angazhimin e tij, ai zgjodhi një opsion mjaft interesant, shkruan sot Koha Ditore.

"Askush nuk mund të më besonte dhe të gjithë ishin të bindur se po bëja shaka deri në momentin kur u zyrtarizova. Të gjithë kanë pritur që të shkoj te ndonjë ekip i madh, pasi ofertat në realitet nuk kanë munguar. Por unë doja diçka më ndryshe, një klub ku do të kisha kontrollin jo vetëm për shitjen, por edhe blerjen e lojtarëve", shpjegon Cordon. "Te Monaco u zhgënjeva shumë, sepse nuk kam besuar se do të ma bënin një gjë të tillë. Megjithatë, unë jam krenar që sa isha në klub, arritëm ta fitojmë titullin e kampionit".

Sikur t'i kishin thënë një tifozi të Granadas se njeriu që mbetet shumë i vlerësuar te Villarreali për shkak të transferimeve që kishte bërë, Cordon, do të bëhej një figurë me ndikim të madh në të ardhmen e një ekipi nga kategoria e dytë, ai do të kishte thënë se kjo është gjëja më e kotë që e ka dëgjuar ndonjëherë. Në fakt, ashtu edhe ndodhi, pasi Cordon vendosi të shkojë te Granada, një ekip i vogël që ishte i kënaqur me faktin se po luante në kategorinë e dytë të Spanjës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)